Indeksi i çmimeve botërore u rrit në prill.
Indeksi i çmimeve të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), i cili ndjek mallrat ushqimore më të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 127.2 pikë muajin e kaluar kundrejt 126.5 për muajin mars, deklaroi agjencia sot.
Agjencia me bazë në Romë tha se rritja e prillit reflektoi çmime më të larta për sheqerin, mishin dhe orizin, të cilat kompensuan rënien e indekseve të çmimeve të drithërave, qumështit dhe vajit vegjetal.
“Ndërsa ekonomitë rimëkëmben nga ngadalësimet e konsiderueshme, kërkesa do të rritet, duke ushtruar presion në rritje mbi çmimet e ushqimeve,” tha kryeekonomisti i FAO, Maximo Torero.
Indeksi i çmimeve të sheqerit u rrit me 17.6% nga marsi, duke arritur nivelin më të lartë që nga tetori 2011. FAO tha se rritja ishte e lidhur me shqetësimet për furnizime më të shtrënguara pas rishikimeve në rënie të parashikimeve të prodhimit për Indinë dhe Kinën, së bashku me prodhimet më të ulëta se sa pritej më parë në Tajlandë dhe në Bashkimin Evropian.
Ndërsa indeksi i mishit u rrit 1.3% nga muaji në muaj, çmimet e qumështit u ulën me 1.7%, çmimet e vajit vegjetal ranë 1.3% dhe indeksi i çmimeve të drithërave ra me 1.7%, me një rënie në çmimet botërore të të gjitha drithërave kryesore që tejkalonte një rritje të çmimeve të orizit.
“Rritja e çmimeve të orizit është jashtëzakonisht shqetësuese dhe është thelbësore që iniciativa e Detit të Zi të rinovohet për të shmangur çdo rritje tjetër në grurë dhe misër,” tha Torero, duke iu referuar një marrëveshjeje për të lejuar eksportin e grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi.
Në një raport të veçantë për ofertën dhe kërkesën për drithëra, FAO parashikoi prodhimin botëror të grurit në vitin 2023 prej 785 milionë tonësh, pak më poshtë niveleve të vitit 2022, por megjithatë prodhimi i dytë më i madh në rekord.
“Perspektivat 2023/2024 për prodhimin e orizit përgjatë dhe në jug të ekuatorit janë të përziera, kryesisht për shkak të ndikimit të ndryshëm rajonal të ngjarjes La Niña,” tha FAO.
FAO rriti parashikimin për prodhimin botëror të drithërave në 2022 në 2.785 miliardë ton nga 2.777 miliardë ton të mëparshëm, vetëm 1.0% më pak se një vit më parë.
Burimi: Reuters/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




