Ylfete Fanaj është bërë ministrja e parë kantonale në Zvicër me origjinë nga Kosova. Fanaj u zgjodh në qeverinë e kantonit të Luzernit.
Në të vërtetë është hera e parë pas tetë vjetëve që partia SP arriti të kthehet në qeverinë e Luzernit, falë Fanajt. Ajo mori në zgjedhje 45.053 vota. Më së tepërmi vota fitoi Armin Hartmann i SVP-së, 51.078.
“Shumë urime për Ylfete Fanajn! Nga sot e para ministre kantonale në Zvicër me origjinë nga Kosova. Socialdemokrate, e afërt me njerëzit, e angazhuar për një shoqëri me shanse të barabarta, luftëtare me argumente, një zë origjinal dhe i shumëngjyrshëm politik në Zvicër: sot Ylfete Fanaj u zgjodh ministre në qeverinë e kantonit të Luzernit. Deri më tani ky është posti më i lartë ekzekutiv që në Zvicër e fiton një politikane me prejardhje nga Kosova. Ylfete Fanaj zhvilloi një fushatë elektorale shumë simpatike. Ajo në fjalimet e saj nuk përjashtoi askënd, por u angazhua për gjithëpërfshirje, gjithnjë sipas motos së saj politike dhe njerëzore: kurrë mos ua këputni krahët njerëzve që duan të fluturojnë! E kam përcjellë me kureshtje gati 20-vjeçare rrugëtimin politik të Ylfete Fanajt dhe sot jam tejet i lumtur për suksesin e saj të merituar. Me shembullin e saj, ajo shpresoj të jetë inspirim sidomos për shumë vajza shqiptare të mërgatës sonë dinamike”, ka shkruar në Facebook gazetari the publicisti Enver Robelli.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Ylfete Fanajn. Osmani ka thënë se Fanaj është frymëzim për gratë dhe vajzat kosovare dhe dëshmi se me punë arrihet çdo gjë.
“Në vitin 2021, pata kënaqësinë ta takoj znj. Ylfete Fanajn, në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Luzernit në Zvicër dhe ta përgëzoj për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik. Ajo dëshmoi zell dhe vendosmëri për përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet pa përjashtim. Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive. Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme. Ajo është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës. E nderuar Ylfete, të prifshin sukseset dhe qofsh urë e fortë lidhëse e Republikës së Kosovës me Zvicrën!” – ka thënë Osmani. /koha/zëri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje