Financa Personale

“Familjet shqiptare kanë më pak mundësi të shpenzojnë dhe të marrin hua”

Banka e Shqipërisë ka raportuar se familjet shqiptare gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 kanë patur më pak të ardhura dhe kanë shpenzuar më pak se një vit më parë apo dhe se fundi i 2018-ës. "E si rrjedhojë e kanë të pamundur të marrin hua sepse nuk kanë mundësi ta shlyejnë atë"-thuhet në Raportin e Stabiliteti Financiar për 6 muajt e parë të këtij.

Kjo ka ardhur si rezultat se numri total i të punësuarve në 2010 familje të anketuara nga BSH, ka shënuar rënie krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë.
Në terma vjetorë, rënia ka ardhur nga rënia e numrit të të vetëpunësuarve, megjithëse punësimi në sektorët e tjerë ka rezultuar në rritje.
Rënia e shpenzimeve ka qenë disi më e theksuar se rënia e të ardhurave të familjeve, thotë BSH.

Bankat kanë raportuar edhe një tkurrje të depozitave prej rreth 14 miliardë lekësh dhe pakësim të tepricës së kredisë me rreth 3 miliardë lekë krahasuar me fundin e 2018-ës.
Në fund të muajit qershor individët kanë qenë kreditorë ndaj bankave për 780 miliardë lekë.
Gjatë 12 muajve të fundit, vëllimi dhe pesha e investimeve në bonot e thesarit të qeverisë ka ardhur në rënie.

Rreth 24% e familjeve që janë përgjigjur anketimit deklarojnë së kanë të paktën një hua për të paguar, të siguruar nga burime të ndryshme. Kjo ka rënë me 2 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, duke mbetur nën mesataren historike. Për këto familje indeksi i të ardhurave dhe shpenzimeve ka shënuar rënie gjatë periudhës.

Totali i tepricës së raportuar të huasë rezulton në rënie krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe një vit më parë. Rreth 67% e tepricës së huasë është siguruar nga bankat dhe kjo peshë është rritur me 1.2 pikë përqindjeje krahasuar me periudhën paraardhëse. Në total, rreth 70% e vlerës së huasë është siguruar nga burime formale (banka dhe institucione financiare jobanka).

Struktura e vlerës së huasë sipas monedhave gjithashtu ka mbetur e njëjtë me periudhën e kaluar; rreth 86% e huasë së marrë rezulton në lekë, ndërsa 14% në euro.

Huaja për blerje/riparim prone dhe konsum kanë shënuar rritje gjatë periudhës.

Rreth 37% e tepricës së deklaruar të huasë është përdorur për blerje/riparim prone, rreth 33% për zhvillim biznesi dhe 13% për konsum.

Huaja për riparim/blerje prone dhe ajo me qëllim konsumin kanë shënuar rritje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe një vit më parë, kurse huaja për zhvillim biznesi ka qenë në rënie.
Rreth 61% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese nuk ka ndryshuar, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë përmirësim krahasuar me gjashtëmujorin kaluar dhe me një vit më parë.

Për gjashtëmujorin e ardhshëm (gjysma e dytë e vitit 2019), shumica e familjeve (rreth 78% e familjeve) nuk presin ndryshim të aftësisë paguese, ndërsa pjesa tjetër tregon pritje më të dobëta.

Mundësia për të marrë hua gjatë pjesës së dytë të vitit 2019 vlerësohet në rënie krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë, duke konfirmuar një kërkesë ende të paqëndrueshme të familjeve për huamarrje.

Nga vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së familjeve rezulton se në fund të gjashtëmujorit të parë 2019, rreth 24% e familjeve shqiptare të vrojtuara kanë të paktën një borxh për të paguar. Kjo peshë ka rezultuar në rënie në tre gjashtëmujorët e fundit dhe është 5 pikë përqindjeje nën mesataren historike (që prej vitit 2010).

Kërkesa për huamarrje e familjeve vijon të mbetet e moderuar. Sipas vrojtimit, rreth 67% e të përgjigjurve kanë deklaruar se “nuk presin të marrin hua të re në 6-mujorin e ardhshëm“. Indeksi i mundësisë për të marrë një hua të re ka rezultuar 0.149, dhe ka shënuar rënie krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe një vit më parë, duke mbetur nën vlerën e mesatares afatgjatë të tij.

Kjo pasi të ardhurat e tyre kanë rënë dhe nuk mund të përballojnë dot shlyerjen e huasë.
Nga huamarrësit që deklarojnë se planifikojnë të marrin hua, rezulton se më shumë se gjysma e tyre (59%) janë “huamarrës të rinj”, pra që nuk kanë hua të papaguar në momentin e intervistimit dhe 41% janë “huamarrës ekzistues“.

Kjo shpërndarje ka mbetur pothuaj e pandryshuar krahasuar me fundin e 2018-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë