Ekonomi

Të pasurit shqiptarë, hanë më shumë, argëtohen më pak

INSTAT ka raportuar se 90% e familjeve me shpenzimet më të ulta në Shqipëri konsumojnë për frymë 20 mijë lekë në muaj, ose 40 mijë lekë më pak se 10% i familjeve të pasura.
Shpenzimet mesatare për konsum të 10 % të familjeve me shpenzime më të larta janë 1,7 herë më shumë se ato të 90 % tjetër të familjeve.

Shpenzimet mesatare për konsum të familjeve tregojnë se në vitin 2018 ka pasur një ulje prej 19,6 % të shpenzimeve të 10 % të familjeve me shpenzimet më të larta.

Këto familje i kanë limituar shpenzimet për hotele dhe restorante etj., më 2018 në raport me një vit më pare dhe kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për ushqim.

Në 2018-ën familjet e pasura përdoren 36 për qind të buxhetit të tyre mujor për konsumin e ushqimeve në shtëpi krahasuar me 35% të totalit në 2017-ën.

Shpenzimet për ushqime kanë pasuar ato për udhëtime ne 10.4 për qind të buxhetit mujor.
Familjet e pasura janë treguar në të kursyera edhe me shpenzimet që kanë bërë për banesat, arsimin dhe argëtimin.

Të dhënat tregojnë se në 2018-ën si familjet e pasura edhe ato me të ardhura të ulta buxhetin në pjesën dërrmuese të tij e kanë shpenzuar për ushqime.

Por familjet e pasura i janë përkushtuar edhe kujdesit për shëndetin dhe komunikimit.
Kurse familjet shqiptare që janë pjesë e 20 përqindëshit me të ardhura më të ulta që përfaqësojnë shtresën më të varfër në vend harxhojnë vetëm 0.2 për qind të të ardhurave mujore për t’u arsimuar, ose 15 herë më pak se mesatarja kombëtare prej 3%, ndërsa 53.3% të buxhetit mujor e përdorin për blerjen e ushqimeve, ndërsa 22.7% të pjesës së mbetur e përdorin për qiranë, faturat mujore të dritave dhe të ujit dhe mirëmbajtjen e banesës.

Familjet e varfra harxhojnë shumë më pak se mesatarja kombëtare për shëndetin, komunikimin, transportin, argëtimin etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë