Gazeta Si – Pesë ditë pas ngjarjes tragjike të së martës, ku humbi jetën gjatë përmbytjeve në Durrës, familjarët e Astrit Hysenajt, punonjës i ndërmarrjes së pastrimit, kundërshtojnë pretendimet e Bashkisë së Durrësit se viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq.
Ata kundërshtojnë versionin se 54-vjeçari po kthehej në banesë në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit dhe ra në kanal, duke humbur jetën.
Sipas të afërmve, Astrit Hysenaj kishte shkuar në punë në orën 5:30 të mëngjesit, ashtu si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
“Daja u nis në punë në 5.30 si normalisht. Familja tentoi ta ndalojë për shkak të situatës, por ai shkoi. Shqetësimi ynë nisi pasi nuk u kthye në punë dhe bëmë denoncimin. Pamë nga kamerat se deri në 8.25 ka qenë duke punuar te mbikalimi i Plepave”, u shpreh mbesa e të ndjerit, Klodiana Bërsheni.
Familjarët theksojnë se deri në momentet e fundit të jetës, ai ka qenë në krye të detyrës dhe kërkojnë që çdo provë filmike pas asaj ore të bëhet publike.
“Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion”, tha Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.
Sipas të afërmve, kanali ku Astrit Hysenaj u gjet pa jetë ndodhet pranë vendit ku ai është parë për herë të fundit.
“Kanali ku ka rënë është pranë vendit ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit, kur të merr, të nxjerr aty ku u gjet. Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij”, tha ndër të tjera mbesa e tij Klodiana
Pamjet filmike janë vënë në dispozicion të policisë për hetime të mëtejshme. Familjarët kërkojnë gjithashtu mbështetje ekonomike për familjen e viktimës, pasi Astrit Hysenaj ishte i vetmi që siguronte të ardhura. Në xhepin e tij, policia gjeti 10 mijë lekë të vjetra.
Të afërmit theksojnë se nuk fajësojnë askënd për ngjarjen e rëndë, por refuzojnë kategorikisht pretendimin se ai nuk ndodhej në punë në momentin e fatkeqësisë, duke e përshkruar Astrit Hysenajn si një njeri dhe punonjës korrekt e të përkushtuar ndaj detyrës.
Astrit Hysenaj, ishte 54-vjeç, ai ka lënë pas gruan dhe djalin 21-vjeçar të papunë, si edhe nënën e tij 85-vjeçare.
Viktima ishte i vetmi që siguronte të ardhurat për familjen, e cila tashmë ka mbetur pa një përkrahje financiare, por vetëm me pensionin që merr e moshuara.
Për përmbytjet në Durrës, Prokuroria ka nisur hetimet për 3 vepra penale’; “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



