Libri i nënë e bijë nga Kolumbia për pjatat tradicionale të vendit të tyre është shpallur libri më i mirë i gatimit në botë në çmimet Gourmand në Paris.
Envuelto-t e Kolumbisë janë pjesë e një trashëgimie kulinare që shtrihet në pjesën më të madhe të Amerikës Latine, nga Meksika dhe Guatemala deri në Kili.
Të gjitha recetat përfshijnë një lloj brumi, ose mase, të bërë me niseshte, misër, banane ose oriz, të mbushur me produkte të ndryshme sipas dëshirës siç mund të jenë mish derri, pule dhe mish tjetër, ose fasule dhe perime. Masa më pas mbështillet në një gjethe për gatim.
Nëna Zoraida “Chori” Agamez dhe vajza Heidy Pinto, të cilat të dyja kanë gatuar që kur ishin fëmijë, shkruan librin fitues të çmimit, të quajtur thjesht Envueltos, për të treguar qasjen kolumbiane ndaj këtyre shijeve.

“Në kohë të trazuara, në momente të trishtuara, në mes të një pandemie, gatimi do të jetë gjithmonë pjesë e zgjidhjes”, thanë ata në një postim në Instagram duke festuar fitoren e tyre. “Rroftë tradita, envueltos dhe kuzhina kolumbiane”.
Dyshja vijnë nga qyteti verior kolumbian i Barrancabermeja, por gati katër vjet më parë vendosën të kalonin kudo në qytetet e vendit duke mbledhur receta tradicionale.
“Ne kishim mësuar mbi teknikat për të bërë envuelto. U fokusuam tek masa, por njerëzit donin të dinin më shumë rreth mbështjellësve”, tha Pinto. “Kështu që ne filluam të udhëtonim në të gjithë Kolumbinë duke kërkuar për envuelto, për të zbuluar se ku janë të njohura, si quhen në vend dhe si i bëjnë ato dhe mblodhëm më shumë se 300 receta”.
Detajet e këtyre traditave lokale janë të gjitha të hartuara në uebsajtin e tyre në gjuhën spanjolle ‘El Toque Colombiano’ (Prekja kolumbiane), por për librin, atyre iu desh të shkurtonin listën.
“Ne filluam t’i provonim ato, derisa nuk mundëm të përballonim më”, tha Pinto duke qeshur. Ato përfundimisht vendosën të fokusohen vetëm në recetat që përdorin misër dhe banane si niseshtenë kryesore.
Botuesi Daniel Guerrero, një spanjoll që kishte vite që jetonte në Kolumbi, u njoh me blogun e tyre dhe u tha se donte të publikonte recetat.
Ato i thanë se nuk kishin ende një libër, por po kërkonin një botues, kështu që ai mori të drejtat dhe planifikoi të hapte shtëpinë e tij të re botuese, të quajtur Hambre de Cultura (uri për kulturë) me Envueltos.

Ata ishin pothuajse gati për të nisur kur goditi pandemia, por Guerrero vendosi të vazhdonte gjithsesi. izolimi ndihmoi me shitjet, pasi porositë vërshuan nga kolumbianët jashtë vendit në Europë, Azi dhe madje edhe në Australi. Librat u përfshinë në listën e konkursit për librin më të mirë të gatimit në botë në maj dhe dyshja nënë-bijë mundi konkurrentët nga Zimbabve, Malajzia, Irlanda dhe Zelanda e Re për t’u shpallur libri më i mirë nga më të mirët në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



