Ka ndodhur

Familja dyshoi për grabitje, Policia e Vlorës: 63-vjeçari u aksidentua, s’ka shenja dhune

Gazeta Si – Ajo që fillimisht u dyshua si një grabitje e mundshme nga ana e familjarëve, duket se ka qenë një aksident i rëndë në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, ku një shofer ka humbur kontrollin e makinës dhe ka përplasur 3 makina të tjera të parkuara.

Sipas policisë, rreth orës 04:00 në lagjen “28 Nëntori”, 63-vjeçari me iniciale N.Gj., duke drejtuar automjetin tip “Ford Fiesta”, dyshohet se është ndjerë keq nga ana shëndetësore e për pasojë ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur një taksi të parkuar, i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur 2 automjete të tjera të parkuara.      

Si pasojë e përplasjes, thekson policia, 63-vjeçari ka humbur jetën. Trupi i pajetë u transportua në morg për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.     

Më herët, familjarët kanë bërë denoncimin në polici, ku sipas tyre i afërmi aksidentuar me mjet dhe më pas është grabitur.

Ata kanë paraqitur si provë mungesën e çantës tek ky i fundit, por në njoftimin e saj për mediat, Policia e Vlorës sqaroi se viktima nuk kishte shenja dhune.

Pas ngjarjes, familjarët, duke parë dëmtimet në kokë, kanë ngritur dyshimet nëse ngjarja ka qenë aksidentale apo e qëllimshme, pasi në vendin e ngjarjes nuk i është gjetur çanta me mjete personale dhe një shumë parash.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë  të rrethanave të ngjarjes, si dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë