Futboll

Falsifikoi lejen e qëndrimit, dënohet me 100 orë punë futbollisti i Tiranës, Cobbina

Winful Cobbinah, futbollisti i  Tiranës,  është dënuar me 100 orë punë nga Gjykata e Tiranës pasi ishte nën hetim për falsifikim të lejes së qëndrimit. Fillimisht prokuroria ka kërkuar një dënim me 4 muaj burgim. Por ky dënim me burg është pezulluar nga gjykata, e cila ka vendosur të detyrojë Cobbina të kryejë dënimin duke bërë 100 orë punë të detyruar në bashkinë e Tiranës.  Nga hetimi i prokurorisë, ka rezultuar se leja e qëndrimit ishte prodhuar në fotokopje me ngjyra. “Sa më sipër, në analizë të plotë të materialit hetimor, rezulton se shtetasi Winnful Essua Joseph Cobbina ka konsumuar plotësisht veprën penale të ‘Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve’, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal”.

Referuar dosjes penale me numër 5165, futbollisti nga Gana është kapur nga policia në 6 qershor 2019 me dokumente të falsifikuara në momentin që po nisej me avioni nga Shqipëria drejt Turqisë. Gjatë kontrollit, policia kufitare në Rinas ka konstatuar se viza njëvjeçare e tij kishte skaduar që me 15 janar 2019, ndërsa i kërkoi nëse kishte një leje qëndrimi.

Cobbina i paraqiti një leje qëndrimi me numër 138564, lëshuar nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, në 15 dhjetor 2018 dhe vlefshme deri 15 shkurt 2019. Por në lejen qëndrimit në emrin e tij , që edhe ajo kishte skaduar, ishte shënuar një numër pasaporte, i cili nuk i përkiste Cobbina, por një personi të tjetër, konkretisht Junior Yunus Sentamu, të cilit i ishte refuzuar leja e qëndrimit në Shqipëri për mungesë dokumentacioni. Policia e ka bllokuar lejen e qëndrimit si të falsifikuar, pasi i përkiste dikujt tjetër, por që kishte foton e ganezit.

Sipas dosje e prokurorisë, “Cobbina deklaron se…pasi ka qenë në Shqipëri në korrik 2018, pas 10 ditësh që stërvitej me Klubin Tirana, gjatë stërvitjes një ditë që nuk e kujton datën, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ka parë një person që iu duk i rëndësishëm që qëndronte në shkallët e stadiumit dhe shikonte ndeshjen miqësore. Këtë person e kishte vërejtur edhe disa herë më parë dhe ai pas ndeshjes e ka thirrur në emër ‘Cobina’ dhe i është afruar. Personi iu drejtua në anglisht, pasi nuk e fliste shumë mirë, por mund ta kuptonte. E ka ftuar për të pirë një kafe. ….pasi janë ulur në kafe ai e pyeti nëse kishte përfunduar procesin e pajisjes me leje qëndrimi dhe Winnful i ka thënë se ishte në proces dhe se me procedurat merrej përfaqësuesi i Klubit Tirana. Ai tha që të mos shqetësohej se ai do ta ndihmonte për t’u pajisur me leje qëndrimi”, thuhet në dosjen e prokurorisë që është referuar në Gjykatën e Tiranës.

Po sipas kësaj dosje, Cobbina ka pohuar se tre javë pas takimit të parë, ky person ka ardhur në stadium dhe i ka dhënë një zarf, në të cilën ishte leja e qëndrimit të tij. Futbollisti thotë se as që e ka lexuar lejen, por e ka mbajtur me vete si të rregullt, Sipas tij, fotografinë e tij që ndodhet në leje, personi i ka marrë nga interneti. Futbollisti pretendon se nuk e njeh këtë person. Ndërkaq, Cobbina ka pohuar në prokurori se e njeh personin tjetër, Junior Yunus Sentamu, numri i pasaportës të të cilit ndodhej në lejen e qëndrimit. Sentamu ishte kolegu i tij futbollist. Në 1 tetor 2019, prokuroi përfundon hetimin dhe dërgon dosjen e futbollistit nga Gana në gjykatë, për ta dënuar si falsifikator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë