Gazeta Si – Gjashtë punonjës të Policisë Rrugore në Elbasan do të shkojnë në gjyq, pasi prokuroria i akuzon se nuk vendosnin gjoba ndaj drejtuesve të mjeteve, edhe pse konstatonin shkelje të rregullave të qarkullimit.
Hetimi i Prokurorisë zbuloi se efektivët kanë vepruar në mënyrë të qëllimshme për të mos ndëshkuar shkelësit.
Gjatë veprimtarisë së tyre këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, edhe pse konstatonin rastet e kundërvajtjes administrative të drejtuesve të mjeteve nuk avanconin me qëllim hetimin.
Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me AMP ka punuar për të dokumentuar rastet e korrupsionit.
Shtetasit Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K. dhe B.T. përballen me akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 259/1, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, efektivët në fjalë, të cilët ishin pjesë e Seksionit të Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, kanë toleruar me dashje drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit, duke mos vendosur masat administrative të parashikuara me ligj.
Këto veprime, të cilat janë kryer në mënyrë të përsëritur dhe në bashkëpunim, kanë sjellë dëm ekonomik për shtetin dhe kanë cenuar interesin publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.