Drejtësia

Falja e gjobave për shtëpi pa leje, si Gjykata Kushtetuese rrëzoi para 2 vitesh ligjin pas padisë nga një i dëmtuar nga tërmeti

Gazeta Si – Gjobat për ndërtime pa leje për strehim, një pr/ligj i propozuar nga mazhorana këtë të enjte në Kuvend, janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me një vendim nr 15/22 të datës 22 qershor të vitit 2022.

Bëhet fjalë për një vendim të para dy viteve e gjysmë, që sipas Kushtetueses, rrëzohen të gjitha gjobat për kyerjen e punimeve për ndërtimet pa leje, pasi nevojat për strehim janë një domosdoshmëri.

Organi më i lartë vendimarrës për pajtueshmërinë e akteve ligjore me Kushtetutën, e mori këtë vendim kundër ligjit të ekzekutivit pas padisë së një qytetari lidhur me ndërtimet pas tërmetit të vitit 2019.

Ky vendim është i formës së prerë urdhëron Gjykata Kushtetuese dhe hyn në fuqi gjashtë muaj pas botimit në fletoren zyrtare.

“Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën pikën që ligji parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim”, – vendosi Kushtetuesja.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve, u gjobit qytetari Nazif Ruçi, i cili ndërtoi për arsye strehimi, sepse banesa iu dëmtua.

Çështja shkoi në Gjykatën Administrative dhe kjo e fundit e përcolli në Kushtetuese.

Gjykata më pas vendosi të shfuqizojë pikën e parë të nenit 52, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.

Kushtetuesja kundërshton gjobën dhe konfiskimin me arsyetimin se ndonëse dënimi me gjobë për punimet pa leje i përgjigjet interesit publik për kontrollin e territorit, mënyra e llogaritjes së gjobës nuk respekton kriteret e proporcionalitetit

“Vlera tepër e lartë e gjobës prej 3.211.300 lekësh, e shoqëruar edhe me prishjen e objektit, i cili ndonëse pa leje është ndërtuar për nevoja strehimi, nuk respekton parimin e proporcionalitetit të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës dhe njëherazi e barazon sanksionin administrativ me dënimin penal”, – vëren Gjykata Kushtetuese.

Me fjalë të tjera, masa e përdorur për të kontrolluar dhe disiplinuar territorin, në situatën kur individi ka vepruar për t’u strehuar për shkak të dëmeve që ka pësuar nga forca madhore, bëhet sipas Gjykatës Kushtetuese, e paarsyeshme dhe e papërshtatshme, duke e shndërruar në arbitrar kufizimin e së drejtës kushtetuese të pronës private.

Kështu, Gjykata vendosi: “Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të nenit 52, pika 1, shkronja “e” të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 – muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese“.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë