Politike

Efekti “Trump”, NATO trembet

Samiti dy ditor i NATO-s në Bruksel duket se ishte më i vështiri i aleancës ndër vite, për shkak se Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar që vendet anëtarë të rrisin ndjeshëm shpenzimet, duke paguar jo dy për qind të GDP-së, por katër për qind. Trump ka përdorur një ton bombastik pothuajse gjatë gjithë bisedimeve, duke lëshuar një breshëri kritikash kundër aleatëve evropianë.

Megjithatë, duke folur pas përfundimit të takimit, Trump deklaroi se anëtarët e NATO-s ishin zotuar të shpenzonin më shumë se 2% të prodhimit të tyre vjetor në buxhetet e mbrojtjes. Presidenti ka qenë shumë kritik ndaj NATO-s, duke deklaruar se SHBA-ja paguan më shumë se vendet e tjera. Në vitin 2014, të gjithë anëtarët e NATO-s ranë dakord të rritnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhë të arrnin objektivin  e vendosur deri në vitin 2024. Megjithatë, Trump dëshiron që kjo të ndodhë më herët dhe u ka kërkuar parë aleatëve të NATO-s që të paguajnë deri në 4% të PBB-së.

Edi Rama dhe liderët e tjerë të NATO-s gjatë samitit në Bruksel

"Ne kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm sot- tha ai- Është vërtet e mahnitshme të shohësh nivelin e bashkëpunimit në atë dhomë".

Nga ana tjetër, edhe krerët e NATO-s thanë se kanë rënë dakord të kontribuojnë më shumë para për buxhetin e tyre të mbrojtjes. 29 udhëheqësit e NATO-s duke përfshirë Trump nënshkruar një deklaratë të përbashkët duke u zotuar për "ndarjen e barrës" dhe për respektimin e rregullit themelor të aleancës që një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj vetë NATO-s. Por deklarata e përbashkët nuk e përmendte rritjen deri në 4% të GDP-së.

Për Shqipërinë, shpenzimet e parashikuara për mbrojtjen janë ulur në 0.7 për qind, në vitin 2017. Kjo e ka zbritur Tiranën zyrtare në listën e vendeve që shpenzojnë më pak për mbrojtjen, duke qenë shumë larg detyrimit të NATO-s. Në vlerë, Shqipërisë i duhet të shpenzojë mbi 100 milionë euro shtesë çdo vit. Në pamje të parë duket se në një buxhet prej më shumë se tre miliard eurosh, kjo shtesë nuk është një sakrificë e madhe. Por, në fakt, 70 për qind e buxhetit është e paprekshme për shkak se shkon për shpenzime të domosdoshme, si rroga, pensione e kosto administrative. 100 milionëshi shtesë çdo vit, do të duhej të hiqej ose nga investimet, ose përmes borxhit nga qeveria ose rritjes së taksave. Megjithatë, në Konferencën e Komitetit të NATO-s që u mbajt në Tiranë në tetor, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të rrisë kontributin e saj në radhët e Aleancës dhe do të shtojë shpenzimet ushtarake.

Kryeministri Edi Rama takon Presidentin Donald Trump, Bruksel

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë