Motosport

F1, Mercedes udhëheq betejën kundër FIA-s dhe Ferrarit

Përveç koronavirusit, ‘bomba’ e fundit ka goditur plotësisht FIA-n e Ferrari. Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga shtatë nga 10 skuadrat e F1, të udhëhequra nga Mercedes, akuzohet Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) për marrëveshjen “sekrete” me skuderinë e Maranellos, pas kaosit të Power Unit të vitit të kaluar. Madje, skuadrat në fjalë kërcënojnë me veprime legale. Protesta është mbështetur nga Mercedes, McLaren, Racing Point, Red Bull, Renault, Scuderia AlphaTauri e Williams.

KOMUNIKATA E 7 SKUADRAVE

“Shtatë skuadrat, ndihen të befasuara e të tronditura nga komunikata e lëshuar nga FIA të premten në 28 shkurt në lidhje me mbylljen e hetimeve të bëra për Power Unit të Skuderisë Ferrari. Rregullatori i një sporti ndërkombëtar ka përgjegjësi për të vepruar me standardet më të larta të integritetit e transparencës. Pas disa muajsh hetime të bëra nga FIA në lidhje me shqetësimet e ngritura nga skuadrat e tjera, kundërshtojmë me forcë faktin se është arritur një marrëveshje konfidenciale midis FIA dhe Ferrari në përfundim të kësaj historie. Duam të theksojmë se do të vazhdojmë përpjekjet tona për të sqaruar përfundimisht këtë çështje dhe për të siguruar që të gjithë pjesëmarrësit në këtë sport të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe korrekte. Ne gjithashtu e bëjmë këtë si përgjegjësi kundrejt tifozëve e të gjithë palëve të interesuara e të përfshira në F1. Ne gjithashtu, kemi të drejtën për të vazhduar veprimet juridike, duke iu drejtuar gjykatave kompetente”.

Javën e kaluar FIA kishte njoftuar mbylljen e hetimeve mbi Power unit të Maranello, që u hapën pas akuzave të Verstappen. Në atë komunikatë, u fol për një marrëveshje por pa zbuluar përmbajtjen. “FIA komunikon që, pas hetimit të detajuar teknik, ka përfunduar analizën e saj mbi funksionimit e Power unit të Formula 1 të skuderisë Ferrari dhe ka arritur një marrëveshje me skuadrën. Specifikimet e marrëveshjes  do të mbeten mes palëve. FIA e skuderia Ferrari kanë rënë dakord për një seri angazhimesh teknike që do të përmirësojnë monitorimin e të gjithë Power unit të Formula 1 për sezonet e ardhshme .”, ishte shkruar në komunikatën e Fia-s. E kjo natyrisht ka tërbuar konkurrencën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë