Fushata eleminatore për zonën evropiane drejt “2026 FIFA World Cup” starton sot dhe të gjitha skuadrat e kontinentit do të provojnë ta nisin me këmbën e mbarë rrugën drejt Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë. Më poshtë do të sjellim disa prej çështjeve kryesore të këtyre ndeshjeve.

Thomas Tuchel fillon mbretërimin ishullor
5 muaj pas emërimit Thomas Tuchel më në fund do të drejtojë dy ndeshjet e para në stolin e “Tre Luanëve” përballë Shqipërisë dhe Letonisë në “Wembley Stadium” në grupin K. Nisur nga humbjet në finalet e “EURO 2020” dhe “EURO 2024” si dhe daljen nga ½ finalet në “2018 World Cup”, pritet që Anglia të jetë sërish mes favoritëve. Për këtë arësye Tuchel shpreson në një start pozitiv që këto pritshmëri të rriten.

Uellsi kërkon botërorin e dytë rradhazi
Pas 64 viteve pritjeje, Uellsi ja doli të shkonte në finalet e “World Cup Qatar 2022”, ku u eleminua në fazën e grupeve me 1 pikë në 3 ndeshje. Pjesëmarrje që e ka bërë skuadrën ishullore akoma më të uritur dhe të besuarit e Craig Bellamy shpresojnë të jenë mes 16 kombeve evropianë që do të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut, Qershorin e vitit 2026.

Treni i fundit për Robert Lewandowski’n?
Në moshën 36 vjeçare, Robert Lewandowski mund të jetë duke luajtur për tu kualifikuar në të fundit botëror të karrierës së tij. Me 84 gola të shënuar në 156 ndeshje, sulmuesi i Barcelona-s do të tentojë të shtojë të tjerë kur të luajë përballë Lituanisë dhe Maltës në grupin G.

Ndërkohë Erling Haaland do të provojë të kthehet tek goli kur Norvegjia do të luajë ndaj Moldavisë dhe Izraelit në grupin I. San Marino bëri histori kur realizoi dy fitoret e para në UEFA Nations League në grupin D1 dhe shpreson të befasojë Qipron dhe Rumaninë në grupin H.

Grupet eleminatore për zonën evropiane:
Gr A: Fituesi i Gjermani/Itali, Sllovaki, Irlandë e Veriut, Luksemburg
Gr B: Zvicër, Suedi, Slloveni, Kosovë
Gr C: Humbësi i Portugali/Danimarkë, Greqi, Skoci, Bjellorusi
Gr D: Fituesi i Francë/Kroaci, Ukrainë, Islandw, Azerbaixhan
Gr E: Fituesi i Spanjë/Hollandë, Turqi, Gjeorgji, Bullgari
Gr F: Fituesi i Portugali/Danimarkë, Hungari, Republika e Irlandës, Armeni
Gr G: Humbësi i Spanjë/Holandë, Poloni, Finlandw, Lituani, Maltë
Gr H: Austri, Rumani, Bosnje Hercegovina, Qipro, San Marino
Gr I: Humbësi i Gjermani/Itali, Norvegji, Izrael, Estoni, Moldavi
Gr J: Belgjikë, Uells, Maqedonia e Veriut, Kazakistan, Lihtenshtein
Gr K: Angli, Serbi, Shqipëri, Letoni, Andorra
Gr L: Humbësi i Francë/Kroaci, Çeki, Mal i Zi, Ishujt Faroe, Gjibraltar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.