Tani, gjithçka varet nga Evropa. Presidenti Donald Trump ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin në mënyrën më të ashpër të mundshme. Nuk ka kohë për të humbur, apo për t’u përpjekur të “zbutim” presidentin amerikan. Tanimë po shkojmë drejt konfrontimit më të madh të mundshëm.
Përgjegjësia është e jashtëzakonshme është tashmë në duart e Europës. Nuk mjafton thjesht të sigurohemi që Irani mos të ndërtojë një bombë bërthamore. Përkundrazi, bota ballafaqohet me një garë të pakontrolluar globale të armëve bërthamore. Stabiliteti i dobët në Lindjen e Mesme është po ashtu në rrezik të madh. Dhe së fundmi, Evropa është duke u përballur me humbjen e kollonës më të rëndësishme, më të besueshme dhe më të dobishme në politikën e jashtme: partneritetin me SHBA-në.
SHBA-ja ka zgjedhur të konfrontohet me Evropën. As ngrohtësia e Macron-it dhe as ashpërsia e Merkelit nuk ishin në gjendje ta ndalonin Trumpin mos të merrte këtë hap. Në shtatë dekada marrëdhënieve transatlantike, nuk ka pasur asnjëherë një shkelje të tillë të interesave evropiane apo një mosmarrëveshje kaq të thellë. Kur Franca dhe Gjermania zgjodhën të mos ndiqnin Presidentin e amerikan, Xhorxh Ë. Bush në luftën e Irakut në vitin 2003, partneriteti mbeti i paprekur. Ishte një mosmarrëveshje serioze, por nuk arriti të kërcënonte themelin e marrëdhënieve transatlantike.
Këtë herë, është ndryshe.
Ky konflikt ka potencialin të përshkallëzohet në një konfrontim të vërtetë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Në skenarin më të keq, Trump mund ta detyrojë Evropën të zgjedhë midis Amerikës dhe Iranit. “Nëse nuk je me ne, je kundër nesh”.
Evropa e gjen veten përballë një sfide diplomatike që është pothuajse e pamundur të zgjidhet. Nga njëra anë, evropianët duhet të parandalojnë përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve të mëtejshme me amerikanët. Nga ana tjetër, ata kanë përgjegjësi të bindin Iranin që të mos heqë dorë nga vetë marrëveshja.
Interesat vitale të Gjermanisë dhe Evropës
Për ta bërë këtë, udhëheqësit evropianë duhet së pari të bien dakord me shtetet e tjera që kanë nënshkruar marrëveshjen bërthamore, Rusinë dhe Kinën, për hapat që duhet të merren për ta mbajtur Iranin në “bord”. Evropa nuk mund të lejojë që të përdoret nga Trump për të izoluar Iranin. Përkundrazi, duhet t’ia bëjë të qartë Uashingtonit se Shtetet e Bashkuara janë të izoluarat në këtë çështje. Ka një numër i madh kombesh që dëshirojnë të “mbajnë në këmbë” këtë marrëveshje, por ka edhe një president amerikan që kërkon t’i japë fund. (me bekimin e Izraelit dhe Arabisë Saudite.)
Është në interesin jetik të Gjermanisë dhe Evropës që Irani vazhdojë t'i përmbahet traktatit bërthamor. Nëse nuk ia dalin, pasojat mund të jenë dramatike: Ka të ngjarë që jo vetëm Irani do të kërkojë të armatoset me armë bërthamore, por edhe fuqi të tjera në rajon si Arabia Saudite ose Egjipti.
Kjo do të shënonte fundin de facto të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. I gjithë sistemi i krijuar për të kontrolluar përhapjen e armëve bërthamore do të ishte në rrezik.
Por rreziku do të ishte edhe më i madh nëse Izraeli ose SHBA -ja do të nisin sulme ushtarake në një përpjekje për të parandaluar Iranin, duke çuar drejt një eskalimi të pashembullt ushtarak, ndërkohën që Teherani do mundohej t’i përgjigjej me sulme kundër Izraelit ose kundër trupave amerikane të vendosura në rajon. Për më tepër, Irani ka vendosur shumë prej objekteve të tij bërthamore nëntokë, duke e bërë shkatërrimin e tyre shumë të vështirë./Del Spigel/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.