Analize

Evropa duhet të përgatitet për skenarët më të këqinj

Nga Andrew Hammond- Krizat e fundit globale, përfshirë pandeminë e Covid-19 dhe luftën në Ukrainë, kanë ndikuar ndoshta më shumë në Evropë se sa në çdo kontinent tjetër. Aq e vërtetë është kjo, saqë  periudha që nga viti 2020 e tutje po cilësohet ndonjëherë edhe si epoka e re e trazirave.

Megjithatë, kriza edhe më të forta politike dhe ekonomike, mund të shfaqen gjatë pjesës tjetër të kësaj dekade. Kjo gjë u paralajmërua qartazi të martën edhe nga kryeministri belg Alexander De Croo, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Pas fitores së Donald Trump të hënën në garën paraprake midis republikanëve në shtetin Iowa, De Croo paralajmëroi se “nëse viti 2024 na sjell sërish në krye filozofinë ‘Amerika e Para’, kjo do të nënkuptojë më shumë se kurrë më parë një Evropë, e cila duhet të marrë në duar fatin e vet”.

Megjithatë, ai theksoi se evropianët nuk duhet të kenë frikë nga kjo perspektivë. “Ne duhet ta përqafojmë atë, duke e vendosur Evropën në një bazë më të fortë, më sovrane, dhe më të mbështetur tek vetja”- deklaroi ai.

Dhe ajo që nënvizoi më të drejtë De Croo, është nevoja që në mënyrë specifike BE-ja – por ndoshta edhe Evropës në përgjithësi – ta shfrytëzojë këtë vit për të planifikuar se si duhet të sillet gjatë asaj që mund të jetë një periudhë tjetër e trazuar.

De Croo thekson nevojën që BE-ja të përdorë në mënyrë specifike vitin 2024 për të planifikuar për atë që mund të jetë një periudhë tjetër e trazuar

Sa i përket Donald Trumpit, në Evropë ka jo pak shqetësim se nëse ai fiton mandatin e dytë si president i SHBA-së, mund të përpiqet ta tërheqë vendin e tij nga NATO, e cila e mbështet sigurinë evropiane, dhe t’i japë fund mbështetjes së saj për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Megjithatë, gama e çështjeve ekonomike dhe politike që shqetësojnë shumëkend në Evropë, shtrihet përtej Donald Trump. Kjo do të thotë se vendimmarrësit kryesorë evropianë, po vëzhgojnë me vëmendje një mori sfidash më praktike në periudhën deri në vitin 2030.

Kjo periudhë, mbulon jo vetëm mandatin e ardhshëm të Komisionit Evropian, por edhe të parlamentit të ardhshëm në Britani, presidencën e re amerikane, një mandat të ri presidencial në Rusi, por edhe mandatin aktual të presidentit kinez Xi Jinping.

Duke menduar mbi këta skenarë të vitit 2030, pasiguritë kryesore që mund të kenë ndikimin më të madh në formësimin e së ardhmes së Evropës në një epokë vërtet historike, janë të paktën dy.

E para ka të bëjë me atë, nëse konteksti gjeopolitik do të përkeqësohet apo përmirësohet për Evropën në periudhën nga tani deri në vitin 2030. Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, shumëçka varet nga politika e jashtme që do të ndjekë në të ardhmen jo vetëm Moska, por edhe vendet e tjera, përfshirë SHBA-në dhe Kinën.

Pyetja e dytë është nëse BE-ja dhe Evropa në tërësi, do të jenë apo të afta të rrisin konkurrencën e tyre ekonomike dhe të reduktojnë hendekun e rritjes ekonomike me SHBA-në. Në vitin 2008, ekonomia e BE-së ishte më e madhe se ajo e SHBA-së:16.2 trilion dollarë përkundrejt 14.7 trilion dollarëve.

Por në vitin 2022, ekonomia amerikane ishte rritur në më shumë se 25 trilion dollarë, ndërsa ekonomitë e marra së bashku të BE-së dhe të Britanisë së Madhe pas Brexit, arritën në vetëm 19.8 trilion dollarë. Siç thotë me të drejtë Christian Ulbrich, drejtues i kompanisë globale të shërbimeve të pasurive të paluajtshme, JLL:“Pasuria e Evropës po zvogëlohet me shpejtësi të madhe”, ndaj ekziston një nevojë urgjente për reforma kyçe.

Pra ka shumë pasiguri rreth fatit të përgjithshëm të BE-së për vitet në vijim, dhe është veçanërisht e vështirë të përcaktohet trajektorja e ardhshme ekonomike e bllokut. Megjithatë, e sigurt është se konteksti gjeopolitik jashtë Evropës, nuk ka gjasa të përmirësohet ndjeshëm nga ku është sot. Madje mund të përkeqësohet ndjeshëm.

Ky skenar është i mundshëm, pavarësisht nëse Trump fiton apo jo zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA. Në rendin botëror aktual me gjithnjë e më shumë pole pushteti, fuqitë revizioniste si Rusia dhe Kina po tregojnë  muskujt e tyre. Sjellja e tyre, po shqetëson shumë politikanë në Perëndim.

Muajin e kaluar, Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius paralajmëroi mbi mundësinë e zgjerimit të agresionit rus në Evropë deri në vitin 2030. Nga ana tjetër, zëvendësdrejtoresha e menaxhimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Gita Gopinath, shtoi se bota po shkon drejt “Luftës së Dytë të Ftohtë”.

Megjithatë, shumë më e pasigurt është nëse Evropa do të jetë në gjendje të rifitojë avantazhin e saj ekonomik konkurrues përkundrejt ekonomisë amerikane dhe fuqive të tjera botërore gjatë 5 viteve të ardhshme. Kjo mund të jetë e mundur, vetëm nëse nuk përsëriten krizat e viteve të fundit.

Megjithatë, ka shumë gjasa të shohim turbullira të mëtejshme, sidomos në një kontekst gjeopolitik më sfidues. Siç e pohoi së fundmi Francois Geerolf i Observatorit Francez të Kushteve Ekonomike, problemi është se “pas çdo krize, eurozona humbet njëherë përgjithmonë disa për qind rritje në krahasim me Shtetet e Bashkuara”.

Gjithsesi, mbetet e mundshme që gjatë viteve të ardhshme të shohim një kombinim të rritjes më të shpejtë ekonomike në Evropë, dhe një konteksti ndërkombëtar akoma më sfidues. Kjo mund të krijojë një lloj skenari të “Fortesës Evropë”, në të cilin rritja më e fortë ekonomike siguron burime të reja të rëndësishme për të ecur drejt arritjes së autonominë strategjike, e cila nga ana e saj do të ndihmonte në forcimin e sigurisë së BE-së.

Këtu mund të përfshihet një ushtri embrionale të BE-së, një projekt ky i mbështetur nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen që në kohën kur ishte Ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë. Por është gjithashtu e besueshme, që deri në vitin 2030, një kontekst ndërkombëtar më sfidues, të kombinohet me një ngecje në vend të rritjes ekonomike në kontinent.

Dhe kjo mund të ndikojë që BE-së t’i mungojnë burimet e mëdha financiare të nevojshme për të ndjekur një rrugëtim të kushtueshëm drejt autonomisë strategjike. Të marra së bashku, periudha deri në vitin 2030, do të jetë një pasiguri tjetër e madhe për Evropën.

Ndërsa kontinenti mund të shpresojë për më të mirën, ai duhet të ndërtojë urgjentisht qëndrueshmërinë që i nevojitet për t’u përgatitur për më të keqen, në mënyrë që të mos kapet në befasi nga rreziqet ekonomike dhe politike që mund të shfaqen në horizont.

Burimi: Arab News/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Andrew Hammond, bashkëpunëtor në institutin LSE IDEAS në Shkollën Ekonomike të Londrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë