Futboll

Evra: Të lypurit në rrugë më ka bërë lojtar më të mirë

Shumica janë mësuar ta shohin si një yll, një showman. Por jeta e Patrice Evra, ish-mbrojtësi historik i Manchester United, Juventus dhe Kombëtares franceze, nuk ka qenë gjithnjë e bukur dhe e lehtë. E ka pranuar vetë francezi për mikrofonët e Podcast-it zyrtar të Red Devils, publikuar nga Mirror. “Nuk kam asnjë problem të them se kam kaluar një fëmijëri të vështirë”, ka rrëfyer Evra mbi jetën e tij në Francë, kur si fëmijë luftonte shpesh edhe për tu ushqyer.

“Kisha shumë vëllezër dhe motra e të jetoje në rrugë nuk ishte e lehtë. Kujtoj që vëllai im Dominic punonte tek McDonald’s. Një herë shkova kur ishte gjatë pushimit dhe më dha për të ngrënë. Nuk kam frikë ta them. Nuk më vjen turp të pranoj se më ka ndodhur edhe të kërkoj lëmoshë. Jam ndalur shpesh para dyqaneve e kur kalonin njerëz, ku shpesh i kërkoja nëse mund të më jepnin diçka. Ndonjëherë më jepnin para, ndonjëherë jo. Doja vetëm të blija një panine. Ka qenë një moment i vështirë”.

Por siç bën zakonisht edhe tani, Evra i ka kaluar ato momente me buzëqeshje: “Isha sidoqoftë i lumtur. Jam ndjerë shpesh me fat. Nuk do të ndryshoja asgjë, do të lija gjithçka siç ishte, sepse më ka bërë personin që jam sot. Disa shohin atë që jam sot e shohin një yll. Por në realitet kam mësuar shumë në rrugë dhe më ka ndihmuar të bëhem më i fortë. Nuk jam një viktimë. Nuk jam i trishtuar as të ndjejnë mëshirë për atë që po them tani, por është e vërteta. Objektivi im është të motivoj fëmijët të mos heqin dorë kurrë, çfarëdo të ndodhë. Nëse beson në vetvete, mund të bësh gjithçka. Kjo është e gjitha”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë