Euro 2020

Eventi më i pasur në histori, 30 milionë euro shpërblim për fituesin

Me Itali-Turqi starton sot Europiani më i pasur në histori. Sipas “Corriere della Sera”, këtë edicion, për kombëtaret pjesëmarrëse do të shpërndahen 331 milionë euro, 30 milionë më shumë se në Francë 2016. Fillimisht u mendua për shifrën e 371 milionëve, më pas pandemia i detyroi organizatorët të rishikonin buxhetin dhe të bënin ndonjë shkurtim.

Fituesi i Euro 2020 do të shpërblehet me 30 milionë euro, ndërkohë që 9.5 milionë janë të garantuara për secilën nga 24 skuadrat pjesëmarrëse në fazën finale. Por jo gjithçka mbaron këtu. Në fazën e grupeve çdo fitore vlen 1 milion euro dhe çdo barazim 500 mijë euro. Kalimi në fazën e 1/8-ve garanton 1.5 milionë euro, në çerekfinale 2.5 milionë dhe në gjysmëfinale 4 milionë euro. Në fund janë 5 milionë euro për atë që merr pjesë në finale.

Shifra të rëndësishme, edhe pse përfitimet më të mëdha do t’i ketë gjithsesi UEFA. Fatura totale e Euro 2020 do të shkojë në rreth 2 miliardë, me objektivin për të siguruar më shumë se 850 milionë euro fitim. Shumë e çmuar kjo për të rilançuar futbollin europian dhe për të rregulluar disi llogaritë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë