Ekonomia e Eurozonës pati rritje në tre muajt e parë të vitit, pasi prodhimi u rrit me 0.1%, por pritshmëritë e ekonomistëve nuk u përmbushën, për shkak të stanjacionit ekonomik në Gjermani.
Rritja më e dobët se parashikimi në tremujorin e parë, së bashku me të dhënat, që tregojnë se inflacioni mbeti i qëndrueshëm në disa vende të Eurozonës, do të ndërlikojnë vendimin për përcaktuesit e normave të rajonit për kostot e huamarrjes.
Rritja e PBB-së së Eurozonës, shënoi përmirësim nga tremujori i fundit i vitit të kaluar, por ishte nën 0.2% të parashikuar nga ekonomistët.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, prodhimi u rrit me 1.3%.
Investitorët e morën shifrën ‘e heshtur’ të rritjes së Eurozonës, si një shenjë që Banka Qendrore Europiane, kishte të ngjarë të ngadalësonte rritjen e normës së interesit, në takimin e radhës më 4 maj. Yield-et e obligacioneve dyvjeçare gjermane, ranë 0.16 pikë përqindje, në 2.7%, ndërsa Euro ra 0.4% kundrejt dollarit, në 1.0985 dollarë.
Ekonomistët kanë këndvështrime të ndara, nëse BQE do të kalojë nga një rritje prej gjysmë pikë përqindjeje, në një lëvizje çerek pikësh javën e ardhshme.
Ndërsa dështimi i Gjermanisë për t’u rritur, ishte një përmirësim nga një rënie prej 0.5% në tremujorin e katërt, ai ishte më i dobët se rritja prej 0.2% e parashikuar nga ekonomistët në një sondazh të Reuters.
Megjithatë, ekonomia e Francës, Italisë dhe Spanjës patën të gjitha rritje të prodhimit. Italia dhe Spanja shënuan një rritje të fortë prej 0.5% në tre muajt e parë të vitit.
Shifra e Italisë tejkaloi pritshmëritë e ekonomistëve prej 0.2% dhe u rikuperua nga një tkurrje prej 0.1% tremujorin e kaluar. Ekonomia e Spanjës gjithashtu u rrit me një ritëm më të shpejtë se sa pritej.
Rritja franceze ishte 0.2% gjatë tre muajve të parë të këtij viti, nga 0.1% në tremujorin e katërt të 2022 dhe gjithashtu, ishte në përputhje me pritshmëritë.
Megjithatë, inflacioni në ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës, u rrit më shumë sesa kishin parashikuar ekonomistët, 6.9% në vit deri në prill, nga 6.7% në mars.
Inflacioni në Spanjë gjithashtu u rrit në 3.8% në prill, nga 3.1% në mars. Megjithatë, inflacioni bazë, i cili heq çmimet e energjisë dhe ushqimeve të papërpunuara, për të dhënë një tregues më të mirë të trysnisë të çmimeve, u ul në 6.6% në Spanjë nga 7.5% një muaj më parë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar u ka thënë bankierëve të BQE-së, që të mos heqin dorë në përpjekjet e tyre për të zbutur inflacionin, duke thënë se do të ishte më mirë të gabonin duke ndjekur një politikë tepër shtrënguese, sesa të shpallnin para kohe fitoren mbi rritjen e çmimeve.
Alfred Kammer, drejtori i departamentit Europian të FMN-së, tha këtë javë se inflacioni bazë do të rezultojë “shumë më i qëndrueshëm” nga sa presin njerëzit dhe se përcaktuesit e normave nuk duhet të qetësohen – edhe pse inflacioni total tani është nën kulmin prej 10.6% i tetorit 2022.
BQE ka rritur tashmë normat me një ritëm të paprecedentë, në një përpjekje për të ulur inflacionin e Eurozonës në objektivin e saj prej 2%. Ajo ka rritur normën e depozitave nga minus 0.5% verën e kaluar, në 3% në mars.
Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




