Organizatorët e Eurovision Song Contest thanë këtë të premte se do të nisin bisedimet me BBC që vitin tjetër të mbahet Eurovizion në Britaninë e Madhe, pasi arriti në përfundimin se nuk mund të mbahet në Ukrainë.
Festivali organizohet tradicionalisht nga fituesi i vitit të kaluar. Muajin e kaluar, grupi ukrainas Kalush Orchestra fitoi festivalin e vitit 2022, dhe Britania doli në vendin e dytë.
Unioni Europian i Transmetuesve tha se kishte kryer “një vlerësim të plotë dhe dhe kishte studiuar nëse Eurovizioni mund të mbahej në Ukrainë apo jo.
Ai tha se konkursi është një nga prodhimet televizive më komplekse në botë dhe kërkon 12 muaj kohë përgatitjeje.
Bordi drejtues i festivalit “me keqardhje të thellë ka arritur në përfundimin se, duke pasur parasysh rrethanat aktuale, garancitë e sigurisë dhe operacionale të kërkuara për një vend për të organizuar dhe prodhuar Eurovision Song Contest” sipas rregullave nuk mund të përmbushen nga transmetuesi ukrainas, tha EBU në një deklaratë.
“Është synimi ynë që fitorja e Ukrainës të reflektohet në shfaqjet e vitit të ardhshëm”, tha EBU. “Kjo do të jetë një prioritet për ne në diskutimet tona me mikpritësit e ardhshëm”.
BBC tha në një deklaratë se “qartësisht këto nuk janë rrethanat që dikush do të dëshironte”, por se pas vendimit të EBU” ne sigurisht do të diskutojmë që BBC të presë Festivalin e Këngës Eurovizion”.
Jamie Davies, Zëdhënësi i kryeministrit britanik Boris Johnson tha se “fitorja e Ukrainës në Eurovision Song Contest ishte shumë e merituar” dhe Britania kishte shpresuar të shihte ngjarjen e vitit të ardhshëm të mbajtur në vendin fitues.
“Përderisa kjo është e pamundur, ne do të punojmë me Ukranën për ta bërë festivalin këtu në Britani”.
Ai tha se Britania do të sigurojë që ngjarja të pasqyrojë “kulturën, trashëgiminë dhe krijimtarinë e pasur të Ukrainës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.