Këngëtarja Anxhela Peristeri kishte pritshmëri jo të vogla nga finalja e Festivalit Europian të Këngës, që u mbajt këtë vit në Rotterdam të Holandës.
Ishte një pretendim me baza duke pasur parasysh rezultatin shumë të mirë në gjysmëfinale, klikimet në faqen zyrtare të Eurovision në Youtube, por edhe nga performanca e këngëtares shqiptare mbrëmjen e 22 majit në çatinë e “Ahoy Arena”.
Mirëpo, në fund, Shqipëria u rendit në vendin e 21-të, duke grumbulluar vetëm 57 pikë, nga të cilat 22 nga juritë profesioniste dhe 35 nga vota e publikut.
Edhe këtë vit ishte votimi i jurive profesioniste, ku më shumë se muzika dominoi politika e fqinjësisë së mirë, por jo për Shqipërinë. Në këtë rast zhgënjimi më i madh mbeten për Shqipërinë pa diskutim votimet e vendeve fqinje, si Italia, Maqedonia e Veriut, Greqia, e Serbia, juritë e të cilave e shpërfillën performancën e Anxhela Peristerit.
LEXO EDHE:
– Italia triumfon në Eurovision 2021
– Anxhela Peristeri nën ethet e Eurovizionit, “Karma” që do të flasë shqip në Rotterdam
Sipas maestros Zhani Ciko, i cili ka qenë edhe anëtari i parë i jurisë në Eurosong, mosmarrja e votave nga ana e fqinjve lidhet me gjeopolitikën, e cila “hedh poshtë” parimet artistike.
“Të bën përshtypje se si në një Europë të bashkuar vë re që gjithmonë ekzistojnë ndasira, sidomos në lidhje me vendet e afërta, atyre vendeve që ne kemi shpresuar shumë se do të jenë vendet që do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. Dhe kur shikon qëndrimin ndonjëherë të ngurtë, që nuk akordojnë mirë edhe me tiparet e gjithë publikut në sallë që e ndoqi dhe e duartrokiti, këtu kupton se sa probleme ka, se sa vështirësi dalin dhe se si në fund të fundit, probleme të gjeopolitikës, mes vendeve të afërta janë përcaktuese, duke dominuar mbi ato parimet artistike”, shprehet kompozitori Zhani Ciko për gazetën “Si”.
Ciko thotë me keqardhje që mungon bashkëpunimi për vlerat artistike për vendin tonë në një kohë që në festival viheshin re edhe bashkëpunime rajonale.
“Kishte dhe bashkëpunime rajonale dhe të ngushta midis vendeve të afërta për sa i përket nacionalitetit dhe etnisë së tyre, por nga ana tjetër mungonte kjo frymë bashkëpunimi për vlerat artistike”, thotë Ciko.
Ndër shtetet që votuan vendin tonë, ishin Malta duke i dhënë 12 pikët e saj maksimale, Danimarka e cila votoi me 7 pikë, ndërsa San Marino vlerësoi me 2 pikë këngën shqiptare.
Pikët maksimale të Maltës, Ciko i lidh me fqinjësinë e largët dhe me dashamirësinë e këtij shteti të vogël ndaj të gjitha zhvillimeve tona.
“Malta është një vend i vogël, ka pak ngjashmëri me vendin tonë. Në gjithë furtunat e mëdha ka ditur të ruajë pavarësinë e saj, ka krijuar një gjuhë të vetën muzikore dhe madje ka prurje herëpasherë befasuese. Malta u tregua dashamirëse me ne, pasi ishte pikërisht ai fqinji jodirekt në kufirin tonë, është fqinji që na sheh pak si nga larg dhe na admiron dhe është gjithashtu dashamirës në tërësi me zhvillimet tona”, vijon Ciko për Gazetën “Si”.
Risia e këtij festivali ishte pesha e votave të publikut dhe triumfi i një grupi rroku të fqinjit tonë, Italisë duke u pozicionuar në majat më të larta të preferencave. Vendi europian i cili më së shumti u godit nga pandemia, e solidarizimi rëndom bëhej me thirrjen “Forca Itali”, tashmë ka diçka për të festuar.
Grupi i rrokut Maneskin me këngën “Zitti e buoni” arriti të marrë 524 pikë duke lënë pas Francën me Barbara Pravi dhe Zvicrën me shqiptarin Gjon Tear’s (Gjon Muharremaj).
“Zgjedhja e një tip votimi tjetër, pati aftësi që në sajë të shumicës së votave të katapultonte shtete, të cilat nuk kishin mbërritur në atë fazë të miratimit të produktit të tyre nga profesionistë të vërtetë të këngës tradicionale dhe ato që i kanë dhënë shtysë këtij aktiviteti ndër vite, siç ishte dhe kënga rrok e fqinjit tonë shumë të vlerësuar”, nënvizon Ciko.
Ai është kritik lidhur me faktin nëse këto tipe këngësh, këto lloj tendencash përmbajtësore duhet të jenë në thelb të një përfaqësimi të tillë. Sipas tij kjo këngë tashmë rikthen edhe njëherë në vëmendje rrokun, “një nga vallëzimet më dinamike gati një shekull më parë”.
“Thatësia si u paraqit, cilësia e prurjes muzikore, e transformimit të këngëve dhe përzgjedhjes së marrëdhënieve së ritmikës me melodinë me lëvizjet me atë çfarë solli kjo këngë, linte pak për të dëshiruar dhe mendoj unë, nuk ishte për një miratim publik tërësor”, përfundon Ciko.
Sipas tij, në kompeticione të këtij niveli duhet “të tejkalohen qëndrime të tilla të ngushta dhe në të ardhmen të gjendet më mirë rruga e vërtetë, e cila është rruga e mirëkuptimit midis vendeve, e dashurisë dhe e vlerësimit të vlerave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.