Treg

Eurostat: 74.7% e popullsisë në moshë pune në Shqipëri rrezikohet nga varfëria

Sipas të dhënave të Eurostat, 74.7% e popullsisë në moshë pune rrezikojnë të bien në varfëri, pasi jetojnë në familje me intensitet të ulët të punës.

Intesiteti i punës pasqyron se sa kanë punuar të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune në krahasim me potencialin e tyre të plotë, sqaron Eurostat.

Në përgjithësi, sa më i lartë të jetë intensiteti i punës brenda një familjeje(sa më afër të jenë njerëzit me punësimin e plotë), aq më i ulët është probabiliteti për të qenë në rrezik të varfërisë.

Ai tregohet me tre nivele, duke filluar nga shumë i ulët, mesatar dhe shumë i lartë.

Intensiteti i punës përkufizohet si raporti i numrit total të muajve që të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune kanë punuar gjatë vitit referues të të ardhurave dhe numrit total të muajve që të njëjtit anëtarë të familjes teorikisht mund të kishin punuar në të njëjtën periudhë.

Ai konsiderohet shumë i ulët kur të rriturit e familjes kishin një kohë pune të barabartë ose më pak se 20% të potencialit të tyre total të kombinuar të kohës së punës gjatë vitit të kaluar dhe nga ana tjetër konsiderohet shumë e lartë, kur koha e punës së të rriturve kalon 85% të potencialit të kohës së punës.

 Shkalla e rrezikut nga varfëria për njerëzit e moshës më pak se 65 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët të punës në Bashkimin Europian ishte 64.0% në vitin 2020.

Norma varionte nga 48.7% në Danimarkë dhe 49.9% në Irlandë në më shumë se 70.0% e popullsisë në nëntë shtete anëtare të BE-së. Ajo arriti kulmin prej 85.4% në Lituani, e ndjekur nga Rumania (84.2%) dhe Letonia (80.6%).

Shkalla e rrezikut të varfërisë ishte 64.0% për njerëzit e moshës më pak se 65 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune krahasuar me 5.3% për njerëzit që jetojnë në familje me intensitet shumë të lartë pune, ndërsa përqindja për njerëzit që jetojnë në familjet me intensitet mesatar të punës ishte 23.6%.

Në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së, një model i ngjashëm u vërejt, që do të thotë se rreziku i varfërisë u ul me rritjen e intensitetit të punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë