Shoqëria e sigurimeve Eurosig njoftoi se ka marrë 51% të aksioneve të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, UBA Bank, duke u bërë zotëruesi i pjesës më të madhe të saj.
UBA ishte me kapital 100% të huaj deri në vitin 2019 kontrolluar nga Islamic Development Bank, kur më pas Eurosig bleu 21% të aksioneve.
Transaksioni nuk është regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
UBA Bank është prezente në Shqipëri që nga viti 1999, por nuk ka përparuar nëpozicion e saj. Ajo ka vepruar në bazë të parimeve të bankingut islamik. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, në qershor 2021, UBA bank ishte më e vogla në tregun vendas, me një total aktivesh prej 10.9 miliardë lekësh, ose 0.7% të totalit të sistemit bankar. Banka ka 1.1% të stokut të kredive të dhëna nga sistemi dhe 0.7% të depozitave.
Vitet e fundit është rritur interesi i sipërmarrësve shqiptarë për të investuar në tregun financiar bankar. Pas marrjes së shumicës nga Eurosig, UBA bank bëhet e pesta me shumicë kontrolluese nga aksionerët shqiptarë. Credins Bank është banka e dytë më e madhe në vend, me 15.7% të totalit të aseteve. Tirana Bank, në pronësi të grupit Balfin, zotëronte 5.54% të tregut në fund të qershorit 2021, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave. Banka Amerikane e Investimeve ka 5.5%. Union Bank zotëron 4.6% të tregut. Në total, bankat në pronësi të kapitalit shqiptar përbëjnë gati 32% të totalit të aktiveve të sistemit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.