Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e ka lënë pak mënjanë objektivin për të hyrë në NATO, por jo atë për të hyrë në BE. Në fillim të këtij viti, së bashku me Moldavinë dhe Gjeorgjinë, vendi hodhi hapat e parë duke aplikuar për anëtarësimin në BE. Me gjashtë vende në Ballkan, plus tre në Europën lindore që duan t’i bashkohen bllokut, pa llogaritur Turqinë, BE- së i kërkohet që të reagojë si duhet për situatën.
Brukseli është në faj nëse i përgjigjet kërkesave, por edhe nëse nuk i përgjigjet është përsëri në faj. Në samitin e radhës së liderëve europianë pritet dhe përgjigja për kërkesat e reja dhe në të njëjtën kohë të vendoset për dy vendet kandidate që kanë shumë kohë në pritje: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të nisin negociatat. Dy nga hapat në rrugën e gjatë për anëtarësim në BE.
Mosrealizimi i momentit historik do të ishte “puthje e vdekjes” për atë që liderët europianë e kanë paralajmëruar si një rizgjim gjeopolitik, pasi vendet e bashkuara kanë ndarë prej kohësh shumicën e gjërave që kanë të bëjnë me Rusinë dhe sigurinë europiane. Lënia jashtë e vendeve më të kërcënuara nga Rusia e Vladimir Putinit do ta bënte të kotë qëllimin e këtij ndryshimi strategjik.
Por nëse BE-ja ofron perspektivën e pranimit për tre vende të tjera, ajo nuk duhet të lejojë që angazhimi i saj të zvogëlohet gjatë rrugës, siç ka bërë në Ballkanin Perëndimor. Ndikimi përçarës i Rusisë në Ballkan ka pasur një ndikim shumë më të madh sesa investimi i saj material në rajon, dhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina janë tashmë pjesërisht të pushtuara nga trupat ruse.
Nga ana tjetër, nëse Brukseli do të privilegjonte Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë mbi Ballkanin, do të dërgonte një sinjal se është konflikti që tërheq vëmendjen e Europës dhe jo reforma politike dhe ekonomike.
Procesi i zgjerimit, dikur i shpallur si arritja më e madhe e Europës, ka ngecur prej vitesh. Sfidat janë të frikshme: Ballkani Perëndimor vuan mosmarrëveshje të jashtëzakonshme të pazgjidhura të trashëguara nga shpërbërja e Jugosllavisë, ashtu si edhe shtetet pasardhëse të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore të pushtuara nga Rusia. Reforma politike dhe ekonomike po mbahet rob i elitave të korruptuara.
Brukseli është kritikuar shpesh e sidomos kohët e fundit për qasjen ndaj Shkupit. E njohur si kandidate për anëtarësim në BE në 2005-n, statusi i Maqedonisë së veriut u ngri për shkak të një mosmarrëveshjeje dypalëshe me Greqinë. Megjithatë, marrëveshja historike e Prespës e arritur nga të dy vendet në vitin 2018 nuk i rregulloi gjërat.
Në nëntor 2020, Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut nga përparimi drejt anëtarësimit në BE mes mosmarrëveshjeve mbi historinë, identitetin dhe gjuhën.
Edhe Shqipëria është përfshirë në këtë mosmarrëveshje, pavarësisht përpjekjeve të saj të rëndësishme për reforma.
Politika e brendshme e vendeve europiane shpeshherë e ngarkuar e ka parë bllokun të humbasë rrugën e tij në politikën e jashtme. Pasoja në vendet fqinje që janë shumë të varura nga BE-ja ka qenë një rreth vicioz korrupsioni, bllokimi dhe kthimi prapa për sa i përket demokracisë.
Siç tha Nikola Dimitrov, ish-ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, i cili ishte pjesë e ekipit që ndërmjetësoi marrëveshjen e Prespës: nëse pranimi nuk është objektiva e 20 viteve, nuk është farë në llogaritë politikë të Ballkanit.
Tani që lufta në Ukrainë i ka dhënë një vrull të ri shtytjes për zgjerim, po qarkullojnë propozime për të përmirësuar mungesën e një procesi të qartë pranimi dhe afatit kohor. Udhëheqësit e BE-së kanë ofruar ide, presidenti francez Emmanuel Macron parashtroi vizionin e tij për një “komunitet politik europian” më të gjerë, ndërsa Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian, ka parashikuar një “komunitet të ri gjeopolitik europian”.
Por këto dizajne madhështore nuk hyjnë në thelbin e problemit. Asgjë përveç angazhimit të vërtetë me elementë që nxisin reforma në vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, nuk do të arrijë qëllimin e, siç tha Macron, “ndërtimit të arkitekturës së sigurisë që ka nevojë kontinenti europian”./Financial Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




