Biznes

Europa të bëhet gati për shpërthimin e ‘flluskës’ së Inteligjencës Artificiale

Një nga mësimet kryesore të strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-së është se sa shumë Uashingtoni i trembet një BE-je të fortë – si treg i vetëm, si bllok demokratik dhe, mbi të gjitha, si rregullator teknologjik. Ndërkohë, europianët dëgjojnë shpesh nga amerikanët se po humbasin garën e inteligjencës artificiale. Modeli i “hyperscale” (teknologjia në shkallë gjigande) paraqitet si rruga e shenjtë drejt suksesit, dhe Europa thjesht nuk paska burime për të konkurruar.

Por flluska e platformave të AI-së, e dominuar nga SHBA dhe e bazuar në modele tepër të kushtueshme, nuk mund të zgjasë pafund. Një korrigjim tregu do të zhvendosë vëmendjen drejt modeleve alternative. Kjo, nga ana tjetër, do të hapë mundësi të reja për Europën, e cila ka përparësi në AI-nw e aplikuar dhe potencialin për të ndërtuar kapitalin më të besueshëm të AI-së në botë.

Një prodhues gjerman makinash nuk ka nevojë për një chatbot interneti. Ai përfiton nga sisteme AI të trajnuara me të dhëna inxhinierike me cilësi të lartë për të optimizuar proceset e prodhimit, për të parashikuar nevojat e mirëmbajtjes ose për të thjeshtuar raportimet e sigurisë. Një spital holandez ka nevojë për mjete diagnostikuese që plotësojnë standardet mjekësore, jo sisteme të përgjithshme që mund të prodhojnë keqinformim mjekësor. Dhe një bankë franceze ka nevojë për Inteligjencw që i rrit efikasitetin, ndërsa ndjek rigorozisht rregulloret e shërbimeve financiare.

Ndërkohë që kompanitë mbështeten gjithnjë e më shumë te kodi i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, cenueshmëritë në software-e shumëfishohen nëse mungojnë standardet e sigurisë.

Rob Joyce, ish-drejtor i sigurisë kibernetike në NSA, ka paralajmëruar për “zjarre të mëdhenj digjitalë që djegin gjithçka”. Jen Easterly, ish-drejtore e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës së SHBA-së, imagjinon një botë ku parimet “secure by design” dhe inxhinieria e “zero trust” e bëjnë industrinë e sigurisë kibernetike pothuajse të panevojshme. Kur përdoret mirë, AI mund të rrisë ndjeshëm sigurinë dhe qëndrueshmërinë. Europa duhet të fokusohet te ndërtimi i sigurisë që në themele, në vend që të arnojë dobësitë pas implementimit.

Në vend që 27 shtetet anëtare të ndjekin objektiva të ndryshme për interesa të veçanta, BE ka nevojë për qendra të specializuara dhe zhvillim strategjik të ekosistemeve që lidhin universitetet, startup-et dhe investitorët. Infrastruktura digjitale e qeverisë së Estonisë tregon se si vendet e vogla mund të marrin rol udhëheqës. Ekspertiza gjermane në robotikë dhe automatizim industrial është ndër më të mirat në botë. Institucionet franceze prodhojnë kërkim në vijën e parë të AI-së. Europa duhet të thellojë këto qendra ekselence dhe të kuptojë levën e fuqishme që i japin pikat e saj të forta.

 Përveç zbatimit të ligjeve të veta, BE duhet të përshpejtojë unionin e tregjeve të kapitalit, të rrisë financimin e kërkimit shkencor dhe të thjeshtojë proceset e vizave për talentet teknologjike. Përballë armiqësisë së SHBA-së, BE duhet të jetë e gatshme të luajë politikën e fuqisë, të tregojë lidershipin eropian në AI.

“Fabrikat AI” përfaqësojnë një mënyrë për të demokratizuar aksesin duke ofruar të dhëna dhe infrastrukturë të përbashkët llogaritëse për kërkimin dhe zhvillimin. Por nevojitet shumë më tepër kapacitet sovran i llogaritjes dhe infrastrukturë e AI-së. Burimet e përbashkëta mund të mbështesin qendrat e të dhënave për kërkime, sisteme AI për arsim dhe mjete për pjesëmarrje demokratike në shërbim të interesit publik. Të kesh kapacitetin tënd e bën BE-në më pak të cenueshme edhe ndaj tronditjeve gjeopolitike.

Teknologjia duhet të jetë pjesë qendrore e planeve për shkëputjen e Europës nga varësia e tepruar ndaj SHBA-së në tregti, financa dhe mbrojtje. Ndërsa BE debaton se çfarë duhet të bëjë për platformat e AI-së, ato platforma tashmë janë të integruara në infrastrukturën kritike, shërbimet e qeverisë dhe mbrojtjen. Kjo do të thotë transferim i mëtejshëm njohurish, burimesh dhe sovraniteti.

Por kur flluska e AI-së të shpërthejë, vlerësimet do të rikalibrohen. Talenti do të bëhet i disponueshëm. Klientët do të pyesin nëse vërtet kanë nevojë për sistemet më të shtrenjta, më të rrezikshme dhe më pak transparente. Strategjia e sigurisë kombëtare të SHBA-së ka zbuluar pa dashje se administrata Trump i sheh më qartë pikat e forta të BE-së sesa vetë europianët.

Modeli amerikan i hyperscale nuk është i pashmangshëm. Ai ka dalë nga një kulturë korporative e tolerancës së lartë ndaj rrezikut, rregullimit minimal, shpërfilljes së dëmeve mjedisore dhe përparësimit të rritjes mbi çdo vlerë tjetër. BE duhet të ketë besim të bëjë zgjedhje të ndryshme, në favor të besimit, sigurisë, ekselencës sektoriale dhe llogaridhënies demokratike. Ajo duhet të dyfishojë përpjekjet për të zhvilluar një alternativë përpara se shtresa tjetër e varësive të ngulitet.

Pyetja nuk është nëse do të shpërthejë flluska e AI-së, por nëse Europa do ta shfrytëzojë momentin kur kjo të ndodhë.

Shkruar nga Marietje Schaake për “Financial Times”, bashkëpunëtore në Institutin për Inteligjencë Artificiale te Njeriu në Universitetin Stanford.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë