Shendet

Më shumë të prekur nga kanceri në Lindje të Europës se në Perëndim

Një studim i ri i realizuar nga Grupi i Veprimit për Kancerin në Europën Qëndrore dhe Lindore, ka gjetur mangësi të mëdha në menaxhimin e hulumtimit për sëmundjet e kancerit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, një në gjashtë vdekje ndodh për shkak të kancerit, në të gjithë botën dhe sëmundja është shkaktari i dytë kryesor i vdekjeve në nivel global. Të dhënat e OBSH tregojnë se kjo sëmundje është përgjegjës për rreth 9.6 milion vdekje në vitin 2018.
Të dhënat tregojnë se rastet me sëmundjen e kancerit priten të dyfishohen deri në vitin 2035. Për sa i përket vendeve të Europës Lindore dhe Qëndrore, raporti thotë se në këto rajone përqendrohen më shumë sëmundja e kancerit, në krahasim me vendet e Europës Perëndimore.

Studimi tregoi gjithashtu se ka një numër sfidash me të cilat duhet të përballen vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, krahasuar me vendet e tjera që nuk bëjnë pjesë në këto rajone.
Mark Lawler, nga Qendra për Kërkimeve të Kancerit dhe Biologjisë Qelizore, tha që ekziston një “pabarazi kanceri” në Europë si dhe ndryshime në lidhje me rezultatet. Sipas tij, boshllëqet në raport ekzistojnë nga zbatimi i Planeve Kombëtare të Kontrollit të Kancerit, deri tek regjistrimet dhe hulumtimet mbi kancerin.

Mark Lawler

“Kjo është me të vërtetë e rëndësishme sepse ju duhet të keni një lloj kornize, që ju lejon të shikoni dhe të shihni se cila është situata juaj aktuale në lidhje me numrin e të sëmurëve me kancer dhe numrin e vdekshmërisë që ka ardhur nga kjo sëmundje. Ju duhet të përdorni këto të dhëna, për të ndërtuar dh zbatuar një plan kombëtar të trajtimit të kancerit,” shtoi ai.
Lawler tha se regjistrimet e kancerit janë një sfidë kryesore. Duke përmendur Bullgarinë si shembull, ai vuri në dukje se deri në 2013, ekzistonte një Regjistër Kombëtar i Kancerit, por më pas u ndalua për disa arsye lokale.
"Pra, raportet ndaj kancerit janë një pjesë tepër e rëndësishme se si ne mund të planifikojmë të ecim përpara. Ne nuk kemi të dhëna se sa kancer të specifikuar ndodhen në një vend të caktuar, cila është vdekshmëria, cilat janë nivelet e mbijetesës dhe më pas efektet e tjera të tjera të rëndësishme që mund të shkaktojnë sëmundjen,”shtoi ai.
Duke iu referuar burimeve në lidhje me Prodhimet e Brendshme Bruto në Europën Qendrore dhe Lindore, Lawler vuri në dukje se shpenzimet, për mjekësinë janë shumë më të ulëta së në vendet perëndimore. Sidoqoftë, ai u bëri thirrje këtyre vendeve që t’i shpenzojnë paratë “me mençuri” për këtë drejtim.
“Nëse shikojmë disa vende në Evropën Lindore, ato po shpenzojnë shumë për farmaceutikë. Por, kjo nuk po reflektohet në rezultate të përmirësuara. Kështu që ju duhet të përdorni burimet tuaja në mënyrë të duhur, duke financuar qasjen më të mirë të mundshme, që do të jepte rezultatet më të mira për pacientët tuaj,” shprehet Lawler.

Ai shtoi se hulumtimi është një pjesë integrale e kontrollit të kancerit.
“Ne kemi të dhëna që tregojnë se nëse një pacient trajtohet në një spital që kryen vazhdimisht hulumtime, ka më shumë gjasa që të ketë një trajtim më specifik dhe më të mirë.
Eksperti thekson se ka shumë rëndësi hulumtimet si dhe fakti që duhet investuar më shumë në këtë pjesë, duke marrë parasysh se rajonet nuk kanë programe efektive për hulumtim Si shembull ai përmendi Rumaninë, e cila nuk është e pajisur me një program ekzaminimi të kancerit dhe kjo ka rezultuar me vdekshmëri më të lartë, për kancerin e mitrës në krahasim me vendet e tjera të BE.
Një tjetër sfidë sipas ekspertit me të cilët po përballen këto dy rajone është edhe ikja e profesionistëve të specializuar në perëndim. Kjo në mënyrë të pashmangshme do ta bëjë më të vështirë, ecurinë e këtyre vendeve në hartimin dhe zbatimin e një plani kërkimor dhe trajtues për kancerin.
“Pra, është e rëndësishme që ne të bllokojmë ose ndalojmë këtë rrjedhje dhe të investojmë në njerëz, sepse njerëzit janë ata që do të kryejnë punën në fund të ditës. Ju mund të keni infrastrukturën, e cila është shumë e rëndësishme, por ne kemi nevojë për njerëz që do të realizojnë proceset e duhura shëndetësore,”tha ai./Euractiv/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë