Shendet

Europa paralajmëron masa pas përhapjes së mutacionit të ri të Covid

Zyrtarët europianë të shëndetësisë paralajmëruan se varianti i ri i koronavirusit ‘Pirola’ po qarkullon në kontinent.

Lloji, i quajtur zyrtarisht BA.2.86, u zbulua në mënyrë sporadike gjatë gushtit dhe mund të jetë një faktor në rritjen e dukshme të infeksioneve të fundit, tha në një deklaratë Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Zyrtarët nga Europa dhe gjetkë po inkurajojnë vendet që të dyfishojnë përpjekjet e vaksinimit kundër Covid – veçanërisht për njerëzit në rrezik të sëmundjeve të rënda – me afrimin e vjeshtës dhe dimrit sidomos në hemisferën veriore.

Nuk ka asnjë provë që variantet e reja janë të lidhura me sëmundje më të rënda ose një ulje të efektivitetit të vaksinës, tha në deklaratë drejtori i ECDC Andrea Ammon.

Megjithatë, rritja e kohëve të fundit e infeksioneve vjen në një kohë të rritjes së udhëtimeve dhe tubimeve të mëdha – dhe përkon me raportet e zbehjes së mbrojtjes imunologjike kundër infeksionit, tha agjencia.

Europa ka parë gjithashtu një rënie në monitorimin e Covid këtë vit, duke e bërë potencialisht më të vështirë për politikëbërësit që t’i përgjigjen shpejt kërcënimeve të reja nga virusi.

Shkencëtarët po e vëzhgojnë nga afër llojin e ri sepse ka shumë mutacione të reja, duke rritur mundësinë e pwrhapjes sw tij. Megjithatë, është shumë herët për të ditur se sa i transmetueshëm është, ose nëse prodhon simptoma më të rënda se variantet më të vjetra, sipas një deklarate nga Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve javën e kaluar./Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë