Analize

Europa në panik, versioni i ri i Covid mbërrin në Itali. Dy rastet e para edhe në Australi

Italia shënoi zyrtarisht më 20 Dhjetor rastin e parë me variantin e ri të koronavirusit nga një person i cili është kthyer së fundmi nga Mbretëria e Bashkuar. Duke e cilësuar këtë rast të ri si një mankth të ri për Italinë, gazeta “Correre Della Sera” shkruan se pacienti i parë me variantin anglez të koronavirusit në Itali është zbuluar disa ditë më parë, por lajmi u bë i ditur vetëm mbrëmë, pas bllokimit të fluturimeve nga Mbretëria e Bashkuar dhe mbërritjes së avionëve të fundit nga qytetet britanike.

Qindra pasagjerë që kanë udhëtuar me këtë pacient, pothuajse të gjithë italianë, një prej të cilëve mjek, dyshohen se janë infektuar dhe tani po hetohet nga spitali “Spallanzani” në Romë.

Rasti i parë i zbuluar në vendin fqinj me këtë variant është një qytetare italiane dhe rasti i dytë do të ishte partneri i saj, të cilën gjenden në izolim që në momentin që mjekët e spitalit ushtarak Celio njoftuan se ishin infektuar me versionin e ri të Covid, i shkaktoi të dielën pasdite një valë paniku në Europë.

Lajmi i mbërritjes së këtij versioni në Itali është një lajm i keq edhe për vendi tonë për shkak të fluturimeve të shumta. Vetëm ditën e sotme në Aeportin Nënë Tereza do të mbërrijnë 7 avionë nga Italia, nga qytete si Roma, Bari, Milano, Bergamo dhe Verona.

Lajmi erdhi menjëherë pasi Italia, së bashku me disa vende të tjera europiane, pezulluan fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar për të “izoluar” variantin e të ri të virusit.

“Pacientja dhe partneri i saj u kthyen nga Mbretëria e Bashkuar disa ditë më parë, duke zbarkuar në aeroportin Fiumicino të Romës. Ata tani janë të izoluar dhe janë nën vëzhgim vëzhguar, së bashku me familjen dhe kontaktet e ngushta”, tha Ministria italiane e Shëndetësisë pasi Sekretari i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar Matt Hancock, tha se ky version ishte “jashtë kontrollit”.

Por mediat italiane thonë se dy rastet e para me këtë version është vetëm maja e ajsbergut, pasi numri i fluturimeve që kanë mbërritur nga Britania ka qënë më i lartë se zakonisht edhe për shkak të afrimit të festave.

Mjafton të thuhet se vetëm në Siçili kanë hyrë plot 1,115 qytetarë nga Mbretëria e Bashkuar që nga 14 dhjetori. “Në të njëjtën periudhë kohore dhjetëra mijëra njerëz kanë mbërritur në të gjithë Italinë nga Britania e Madhe”, shkruan “Correre della Sera”. “Departamentet e parandalimit të njësive lokale shëndetësore tashmë janë duke kërkuar për të gjithë pacientet që kanë rezultuar pozitiv pas mbërritjes nga Britania. Një garë kundër kohës që duket e dëshpëruar”, thotë gazeta.

Franca të hënën gjithashtu njoftoi se ekziston një mundësi që lloji i ri i koronavirusit po përhapet gjithashtu në vend. “Është plotësisht e mundur që virusi po qarkullon në Francë”, tha ministri francez i shëndetësisë Olivier Veran, “Reuters”.

Në Fiumicino mbërritja e 110 udhëtarëve nga Londra ishte fluturimi i fundit nga aeroporti Heathrow drejt Europës. Ndalimi i fluturimeve drejt Britanisë është i vlefshëm nga 20 Dhjetor deri më 6 janar të vitit 2021.

Tipi i ri i Sars-CoV-2, i quajtur “VUI-202012/01” u identifikua për herë të parë në mes të shtatorit në Londër dhe Kent, një qark në juglindje të kryeqytetit. Në këto zona, ai u bë mbizotëruese për pak më shumë se dy muaj. 

Ndërkohë, Australia ka zbuluar dy raste të llojit të ri të koronavirusit të identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Dy udhëtarë nga Britania e Madhe konkretisht nga Uellsi Jugor kishin të mbartur variantin e mutuar të virusit që Britania ka thënë se mund të jetë deri në 70% më infektues, raporton Reuters. Të dy udhëtarët ndodhen në karantinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kohët e fundit tha se ishte në kontakt të ngushtë me qeverinë britanike për të marrë më shumë informacion në lidhje me variantin e ri të koronavirusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë