Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore po u mungojnë reshjet e prillit, duke krijuar probleme për zinxhirët e furnizimit ushqimor.
Nga Ukraina në Belgjikën e lagësht, mungesa e reshjeve ka lënë pjesën më të madhe të Europës të thahet në gjysmë të pranverës.
Vendet më të prekura përfshijnë Gjermaninë, Poloninë, Ukrainën dhe Spanjën, ndërsa alarmet janë ndezur nga Observatori Europian i Thatësirës.
Muaji mars shënoi temperaturat më të larta ndonjëherë të regjistruara, ndërsa reshjet munguan në pjesën më të madhe të kontinentit. Ekspertët paralajmërojnë se situata ngjan me vitin 2018, kur Europa u godit nga një valë e madhe thatësire.
Në Gjermani, më shumë se gjysma e vendit është prekur rëndë, me tokën bujqësore në gjendje alarmante. Lumi Rhine ka rënë në nivele tipike të verës, duke penguar transportin dhe rritur kostot e logjistikës.
Polonia dhe Ukraina, dy nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit, janë në rrezik të humbjes së prodhimit. Kjo mund të ndikojë tregun global të ushqimit dhe të nxisë rritje të çmimeve.
Ndërkohë, Belgjika po përjeton reshje jashtëzakonisht të ulëta, ndërsa në Ukrainë zjarret në pyje dhe fusha po përkeqësohen për shkak të kushteve të thata dhe sulmeve ushtarake.
Në kontrast, ishulli Lanzarote në Kanarie është përmbytur nga shirat, duke theksuar ekstremet klimatike që po prekin kontinentin.
Komisioni Europian është nën presion për të ndërmarrë masa konkrete në kuadër të strategjisë së re për menaxhimin e ujit, që pritet të prezantohet në qershor.
Europës po i kërkohet të përgatitet për një të ardhme me reshje gjithnjë e më të paparashikueshme.
Ekspertët thonë se javët e ardhshme do të jenë kritike dhe nëse nuk bie shi, kjo do ketë ndikime të mëdha në bujqësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.