Kur zv.presidenti i SHBA-së akuzoi Europën se ka dështuar në mbrojtjen e lirisë së fjalës, kundërpërgjigjet ishin: “hipokrit!”. Shtëpia e Bardhë ku J.D Vance punon është një kundërshtar i fuqishëm i fjalëve që nuk pëlqen, nga studentët tek media.
Por vetëm se ai është hipokrit nuk do të thotë se e ka gabim. Europa ka një problem të vërtetë me lirinë e fjalës.
Problemi nuk është i njëjtë kudo. Deri më tani, armiku më i madh i fjalës në Bashkimin Europian është Hungaria, ku qeveria ose ka mbylluar ose i ka blerë mediat kritike. Lista vazhdon me Gjermaninë dhe Britaninë.
Ndalimi i Gjermanisë për mohimin e Holokaustit është i kuptueshëm, duke pasur parasysh historinë e saj, por ligji i saj kundër fyerjes së politikanëve është një pafytyrësi. Të fuqishmit e përdorin atë pa turp. Një ish-zëvendës kancelar ka ndjekur qindra kallëzime penale kundër qytetarëve, përfshirë një që e quajti atë “idiot”. Muajin e kaluar një redaktor gazete i krahut të djathtë u dënua me një gjobë të madhe, plus një dënim prej shtatë muajsh me kusht, për ndarjen e një meme të një fotoje të modifikuar që tregonte ministrin e brendshëm duke mbajtur një tabelë ku shkruhej “Unë e urrej lirinë e mendimit”.
Të gjithë shtetet europiane garantojnë lirinë e shprehjes, por tentojnë ta limitojnë atë. Kjo arrin deri në kufizimin e shprehjes se mendimit dhe ideologjive.
Në disa vende, është krim të flasësh kundër disa grupeve specifike, p.sh për mbretin e Spanjës dhe… të gjithë llojet e njerëzve në Gjermani. Në Britani është krim nëse sulmon barbarisht online. Ekzistojnë ligjet kundër blasfemive në 12 vende të Europës. I gjithë kontinenti ka kriminalizuar “gjuhën e urrejtjes” që është e vështirë për ta definuar por sa vjen dhe zgjerohet në grupe të reja. Në Finlandë është ilegale të sulmosh fetë, por edhe citimi i shkrimeve të shenjta mund të jetë rrezik. Një deputet u procedua penalisht për postimin e një vargu biblik mbi homoseksualitetin.
Logjikë e paqartë
Policia e Britanisë është veçanërisht e zellshme. Oficerët shpenzojnë mijëra orë duke monitoruar postimet e mundshme fyese dhe arrestojnë 30 persona në ditë. Në mesin e atyre që u vunë në pranga ishte një burrë që u përfol për emigracionin në Facebook dhe një çift që kritikoi shkollën fillore të vajzës së tyre.
Qëllimi i ligjeve për gjuhën e urrejtjes është promovimi i harmonisë sociale. Megjithatë ka pak prova se ato funksionojnë. Shtypja e fjalës me kërcënimin e ndjekjes penale duket se nxit ndarjen. Populistët mbështesin idenë se njerëzit nuk mund të thonë atë që mendojnë në të vërtetë, një pikëpamje që tani ndan më shumë se 40% e britanikëve dhe gjermanëve. Dyshimi se institucioni mbyt disa perspektiva shtohet kur rregullatorët e medias tregojnë njëanshmëri politike. Franca gjobiti një kanal televiziv konservator me 100.000 euro për shkak se e quajti abortin shkakun kryesor të vdekjes në botë – një pikëpamje e zakonshme në mesin e konservatorëve, nga e cila me sa duket publiku duhet të mbrohet. Ligjet e sigurisë në internet që vendosin gjoba të mëdha ndaj firmave të mediave sociale për tolerimin e përmbajtjeve të paligjshme, i kanë inkurajuar ato të heqin shumë gjëra që janë thjesht të diskutueshme, duke zemëruar ata, postimet e të cilëve janë shtypur.
Gjërat mund të përkeqësohen. Ligjet e hartuara në mënyrë të paqartë që u japin diskrecion të gjerë zyrtarëve janë një ftesë për abuzim. Vendet ku një abuzim i tillë nuk është ende i zakonshëm duhet të mësojnë nga shembulli britanik. Goditja e tij nuk ishte planifikuar nga lart, por u ngrit kur policia zbuloi se më shumë i pëlqenin fuqitë që u jepnin ligjet e të folurit. Është shumë më e lehtë të kapësh postime në Instagram sesa hajdutë; provat janë vetëm një klikim i mausit larg.
Kur ligji ndalon ofendimin, krijon gjithashtu një nxitje për njerëzit që të pretendojnë se janë ofenduar, duke përdorur kështu policinë për të mbyllur gojën e një kritiku ose për të larë hesapet me një fqinj. Kur disa grupe mbrohen nga ligjet për gjuhën e urrejtjes, por jo të tjerët, të tjerët kanë një nxitje për të kërkuar mbrojtje gjithashtu. Kështu, përpjekja për të eliminuar fjalët lënduese mund të krijojë një “tabu”, me gjithnjë e më shumë zona që konsiderohen të ndaluara. Së shpejti, kjo pengon debatin publik. Është e vështirë të kesh një debat të hapur dhe të sinqertë për imigracionin, të themi, nëse njëra palë ka frikë se shprehja e pikëpamjeve të saj do të ftojë një vizitë nga policia.
Kjo është marrëzi. Jo vetëm sepse ligjet që mund të përdoren për të marrë gojën e njërës palë mund të përdoren edhe për të përgjuar tjetrën, siç mund të shihet në përgjigjet drakoniane ndaj protestave të Gazës në Gjermani. Por edhe sepse të besosh në fjalën e lirë do të thotë të mbrosh fjalën që nuk të pëlqen. Nëse demokracitë dështojnë ta bëjnë këtë, ato humbasin besueshmërinë, në dobi të autokracive si Kina dhe Rusia, të cilat po bëjnë një luftë globale për fuqi të butë.
Cfarë duhet të bëjnë europianët? Ata duhet të rikthehen në idetë e vjetra liberale, ide që thonë se një zhurmë kundërshtie është shumë më e mirë se një qetësi e detyruar. Shoqëritë kanë shumë mënyra për promovuar civilizimin që nuk përfshijnë prangat.
Dënimet penale duhet të jenë po aq të rralla sa janë sipas Amendamentit të Parë të Amerikës. Shpifja duhet të jetë një çështje civile, me masa mbrojtëse shtesë për kritikat ndaj të fuqishmëve. Përndjekja dhe nxitja e dhunës duhet të jenë ende krime, por “gjuha e urrejtjes” është një koncept kaq i paqartë sa duhet të hiqet.
Platformat digjitale në pronësi private do të kenë politika të ndryshme të moderimit të përmbajtjes. Disa do të jenë më të rreptë se të tjerët; përdoruesit janë të lirë të zgjedhin platformën që preferojnë. Ligjërisht, fjalimi në internet duhet të trajtohet njësoj si fjalimi në jetën reale. Megjithëse ka dallime të dukshme, të tilla si mundësia për t’u bërë virale, policia në përgjithësi duhet të qëndrojë jashtë bisedave private. Ligjet më të qarta dhe më pak gjithëpërfshirëse do t’i ndihmonin të gjitha platformat të fokusohen në heqjen e kërcënimeve dhe ngacmimeve të vërteta.
Europianët janë të lirë të thonë çfarë u pëlqen për zotin Vance. Por ata nuk duhet ta injorojnë paralajmërimin e tij. Kur shtetet kanë shumë fuqi mbi të folurin, herët a vonë do t’i përdorin ato./TheEconomist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.