Gazeta Si – Më 19 marsin e kaluar, Ekrem Imamoglu, lideri kryesor i opozitës dhe kryebashkiaku i Stambollit, u arrestua në Turqi (ai u pezullua më vonë nga detyra).
Në javët në vijim pati demonstrata të mëdha pro-demokratike në vend, por asnjë lider evropian apo perëndimor nuk protestoi.
Askush nuk bëri thirrje për lirimin e Imamoglut, i cili sipas të gjithë ekspertëve, u arrestua me akuza të motivuara politikisht dhe askush nuk e dënoi bindshëm qeverinë turke për shtypjen e dhunshme të protestave.
Kjo ndrojtje është shumë e ndryshme nga qëndrimi që Europa ka pasur në të kaluarën, e cila shpesh e ka kritikuar ashpër presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për autoritarizmin e tij: vetëm në vitin 2021, kryeministri i atëhershëm italian Mario Draghi, duke lënë një koment, e përkufizoi Erdoganin si një “diktator”.

Që atëherë situata ka ndryshuar: rëndësia e Turqisë për Evropën është rritur jashtëzakonisht shumë në vetëm pak vite dhe bashkë me të edhe rëndësia e Erdoganit.
Sot janë të paktë liderët që i lejojnë vetes të kritikojnë presidentin turk dhe ata që e bëjnë këtë janë të kujdesshëm që të mos e inatosin shumë.
Disa ditë pas arrestimit të Imamoglut, Erdogan e bëri të qartë se ai beson se është në një pozicion të fortë përballë Evropës: “Bashkimi Evropian nuk mund të ekzistojë pa Turqinë”, – tha ai.
Liderët europianë duket se mendojnë të njëjtën gjë, pasi reagimet ndaj një prej akteve më autoritare të Erdoganit kanë qenë qartësisht të kufizuara.
Disa vende, si Franca, kanë shprehur “shqetësim të thellë” për arrestimin e Imamoglu, ose kanë përdorur formula të krahasueshme.
Qeveri të tjera, si ajo italiane, kanë preferuar të mos thonë asgjë për atë që po ndodh në Turqi.
Rëndësia në rritje e Turqisë për Evropën është për shkak të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë marrëveshjen me të cilën qeveria turke ra dakord në vitin 2015 për të mbajtur miliona emigrantë sirianë në territorin e saj; roli i rëndësishëm që kishte Turqia në ndërmjetësimin midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ndikimi i madh që gëzon me qeverinë e re siriane, e cila mori detyrën dhjetorin e kaluar pas përfundimit të regjimit të diktatorit Bashar al Assad.

Por fusha në të cilën mbështetja e Turqisë është bërë vërtet e domosdoshme për Europën, është siguria.
Tani që nuk mund të llogarisë më me siguri në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës së Donald Trump dhe që po fillon të krijojë një strategji autonome mbrojtjeje, Europa e ka kuptuar se pa fuqinë ushtarake të Turqisë dhe pa kapacitetin e industrisë së saj të mbrojtjes, është më e vështirë të garantojë sigurinë e saj.
Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, pas Shteteve të Bashkuara: 350 mijë ushtarë të cilët, ndryshe nga shumica e forcave të armatosura europiane, kanë përvojë të konsiderueshme luftarake në Siri dhe në rajonet e brendshme të Kurdistanit, ku qeveria e Erdoganit shtyp me dhunë lëvizjet kurde për pavarësi.
Pozicioni gjeografik i vendit, në gjysmë të rrugës midis Lindjes së Mesme dhe Rusisë, e bën Turqinë themelore për mbrojtjen e zonave lindore dhe jugore të Europës.
Për më tepër, siç shpjegoi gazetari Yaroslav Trofimov në “Wall Street Journal”, industria turke e armëve ka përparuar në sektorë të ndryshëm.

Kompania “Bayrak”, e cila drejtohet nga dhëndri i Erdoganit, Selçuk Bayraktar dhe vëllai i tij Haluk, është një nga liderët botërorë në prodhimin e dronëve ushtarakë, të cilët janë testuar gjerësisht në luftime, si në Ukrainë ashtu edhe në Karabak (një territor i diskutueshëm midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, ku Turqia ka ndihmuar ushtarakisht Azerbajxhanin).
“Bayrak”, ndër të tjera, bleu “Piaggio Aerospace” në fund të vitit 2024. Europa po përpiqet të investojë qindra miliarda dollarë në riarmatimin e saj dhe sistemet e armëve të prodhimit turk, megjithëse jo më të avancuarit në treg, konsiderohen si një opsion i vlefshëm dhe ekonomik, veçanërisht në një kohë kur industria ushtarake evropiane nuk duket e aftë t’i përgjigjet rritjes së madhe të kërkesës.
Për këto arsye, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i ka kërkuar prej kohësh Evropës që të forcojë lidhjet e saj të sigurisë me Turqinë.
Dhe për këtë arsye Komisioni Evropian, në dokumentin për mbrojtjen, e identifikoi Turqinë si një nga partnerët kryesorë për të garantuar sigurinë e saj, së bashku me Kanadanë, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Millet iradesine darbe vuruluyor. pic.twitter.com/waXHu23ZVN
— Ekrem İmamoğlu (@ekrem_imamoglu) March 19, 2025
Dokumenti i Komisionit është programatik, i cili përshkruan politikat dhe strategjitë për planin evropian të riarmatimit.
Ajo që po ndodh, është se Europa, e vetëdijshme për rëndësinë e Turqisë për sigurinë e saj, po lë pak a shumë qëllimisht mënjanë mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend: në shumë mënyra është një pozicion cinik, që deri vonë do të kishte qenë i pazakontë, por që tani konsiderohet i justifikuar edhe nga shumë liderë përparimtarë.
Vetë Imamoglu, në një artikull të shkruar nga burgu dhe publikuar në “New York Times”, vuri në dukje këtë prirje: “Pa dyshim, ngjarjet e fundit […] kanë rritur rëndësinë strategjike të Turqisë, edhe për shkak të aftësisë së saj themelore për të kontribuar në sigurinë evropiane. Por gjeopolitika nuk duhet të na bëjë të injorojmë erozionin e vlerave dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.