Nga Gazeta ‘Si’- Tetë vendet europiane që u vunë në shënjestër nga Presidenti amerikan Donald Trump me një tarifë prej 10%, për shkak se kundërshtuan kontrollin amerikan mbi Groenlandën, e kritikuan ashpër këtë veprim.
Ata paralajmëruan se kërcënimet e liderit amerikan “minojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë një spirale të rrezikshme përshkallëzimi”.
Në një deklaratë të përbashkët, të pazakontë e të fortë nga aleatët e SHBA, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda, thuhet se trupat e dërguara në Groenlandë për stërvitjen ushtarake daneze Qëndresa Arktike, nuk përbëjnë kërcënim për askënd: “Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Groenlandës.
Duke u mbështetur në procesin e nisur javën e kaluar, jemi të gatshëm të angazhohemi në një dialog të bazuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilat i mbështesim fuqishëm. Kërcënimet me tarifa minojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë një spirale të rrezikshme përshkallëzimi”.
Reagimi erdhi pasi Trump njoftoi të shtunën qëllimin për të ndëshkuar me tarifa prej 10 përqind, 8 shtete europiane që kundërshtojnë kontrollin e Groenlandës. Një burim pranë Presidentit francez Emmanuel Macron tha se ai po punon për të koordinuar një përgjigje evropiane dhe po shtyn për aktivizimin e Instrumentit Kundër Shtrëngimit, i cili mund të kufizojë aksesin e SHBA në tenderët publikë brenda bllokut ose të kufizojë tregtinë e shërbimet në të cilat SHBA-ja ka një suficit me BE-në, shkruan A2.
Në një postim në rrjetet sociale, Macron tha se asnjë kërcënim apo intimidim nuk do të kishte ndikim tek ta, si për Ukrainën ashtu edhe Groenlandën: “Kërcënimet me tarifa janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në këtë kontekst”.
Megjithatë, disa diplomatë të BE këmbëngulin se ky nuk ishte momenti për të përshkallëzuar situatën. Kryeministrja Giorgia Meloni, një prej udhëheqëseve europiane më të afërta me Trump, i cilësoi tarifat si një gabim dhe tha se ia kishte përcjellë mesazhin Presidentit amerikan.
Shefja e Politikës së jashtme të BE, Kaja Kallas pohoi se Kina dhe Rusia do të përfitonin nga ndasitë mes SHBA dhe Europës dhe se tarifat rrezikonin të varfëronin Europën dhe BE dhe të minonin prosperitetin e përbashkët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


