Një raport i revistës shkencore “Lancet” ka treguar se 100 milionë ekzaminime për kancerin që duhet të kishin perfunduar humbën për shkak të pandemisë dhe kjo ka shkaktuar edhe vonesa në studime dhe gjetje të reja.
Ekspertët kanë paralajmëruar se Europa do të përballet me një “epidemi kanceri” nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të nxitur trajtimin dhe kërkimin.
Në raport ishin pjesë ekspertë shkencorë që kanë bërë studime për kancerin në të gjithë Europën.
“Një pasojë e paqëllimshme e pandemisë janë efektet negative që kishte në shërbimet shëndetësore dhe izolimet kombëtare dhe këto kanë bërë që shërbimet e kancerit, studimet dhe pacientët të mbesin në vend”, thanë ekspertët.
“Për të theksuar shkallën e këtij problemi, ne vlerësojmë se rreth 1 milion diagnoza të kancerit mund të jenë shmangur në të gjithë Europën gjatë pandemisë Covid-19”, shkruan The Lancet.
Ekzistojnë prova që një përqindje e madhe e pacientëve janë diagnostikuar vonë dhe kjo ka bërë që kanceri të jetë në një fazë të vështirë në momentin që pacientët janë diagnostikuar, ndryshe nga para pandemisë që pacientët diagnostikoheshin më shpejt dhe kështu kishin më shumë gjasa të shëroheshin.
“Ky ndryshim i fazës së kancerit do të vazhdojë të theksojë problemet me sistemet europiane për kancerin për vitet në vijim dhe shumë pacientë do e kenë të vështirë jetesën”, thanë ekspertët.
Raporti analizoi të dhënat dhe zbuloi se mjekët panë 1.5 milion pacientë më pak me kancer në vitin e parë të pandemisë, me një në dy pacientë me kancer që nuk kishin bërë kimioterapi në kohën e duhur.
Rreth 100 milion ekzaminime nuk u bënë dhe vlerësohet se deri në 1 milion qytetarë europianë mund të kenë një kancer të padiagnostikuar si rezultat i kësaj.
Për më tepër, ekspertët thonë se ka pasur mungesa në kërkimin e kancerit, me mbylljen e laboratorëve dhe provat klinike të vonuara ose anuluara.
“Ne jemi të shqetësuar se Europa do të shkojë drejt një epidemie kanceri në dekadën e ardhshme nëse sistemet shëndetësore të kancerit dhe kërkimi i kancerit nuk bëhen urgjentisht prioritare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.