Fenerbahce fitoi titullin e dytë në EuroLeague pas suksesit 81-70 ndaj Monaco në Finalen e luajtur në “Etihad Arena” në Abu Dhabi. Skuadra turke që kishte fituar titullin e parë në edicionin 2016-17, përmbysi disavantazhin e fillimit përpara se të arrinte një sukses historik në basketbollin evropian. Sulmuesi amerikan Nigel Hayes-Davis, ishte heroi i turqve me 23 pikë duke u shpallur edhe Lojtari më i Mirë i finaleve. Monaco që i dha fund pritjes 32 vjeçare që një skuadër franceze të luante në Finale e mbylli periodën e parë me avantazhin 20-18.

Por Fenerbahce u kthye gradualisht në lojë duke dominuar pjesën e mbetur, pavarësisht 19 pikëve të Alpha Diallo për Monaco. Traineri Sarunas Jasikevicius u bë i pari në historinë e EuroLeague modern të fitojë titullin si lojtar dhe trainer. Më herët lituanezi ishte shpallur kampion si lojtar te Barcelona (2003), Maccabi Tel Aviv (2004, 2005) dhe Panathinaikos (2009). Si trainer ai udhëhoqi Barcelona-n në 2021 por u mund nga Anadolu Efes. Një vit më parë në drejtimin e Fenerbahce në “Final Four” u mund nga Panathinaikos në ½ finale.

Ndërkohë në ndeshjen për vendet ¾ (që EuroLeague po mendon të mos e zhvillojë nga sezoni i ardhshëm) Olympiacos Piraeus fitoi ndaj Panathinaikos AKTOR Athens 97-93 në atë që ishte një derbi historik grek. Alec Peters shkëlqeu me 32 pikë (një rekord në “Final Four”). Panathinaikos u udhëhoq nga Omer Yurtseven me 23 pikë, ndërsa Cedi Osman dhe Mathias Lessort shtuan përkatësisht 14 dhe 12 pikë. Lorenzo Brown shërbeu 12 asists por sërish nuk arriti ta evitonte humbjen e kampionëve të vitit 2024.

Libri i Artë në EuroLeague
11-Real Madrid
8-CSKA Moscow
7-Panathinaikos
6-Maccabi Tel Aviv
5-Varese
3-Olympiacos, Olimpia Milano, Rīgas ASK, Split
2-FENERBAHÇE, Barcelona, Virtus Bologna, Anadolu Efes, Cantù, Cibona
1-Dinamo Tbilisi, Joventut Badalona, Žalgiris, Bosna, Virtus Roma, Partizan, Limoges CSP
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.