Treg

Euroizimi i tregut të sigurimeve u rrit sërish në 2021

Në fund të vitit 2021 pesha e primeve të shkruara në euro kundrejt totalit u rrit në 30% nga 27% që kishte qenë në fund të vitit 2020, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Pesha e primeve të shkruara në euro kundrejt totalit për aktivitetin e Sigurimit Jo-Jetë ka shënuar rritje me rreth 3.3% krahasuar me fundvitin 2020, duke shkuar në 29.7% nga 26.4% që kishte qenë në vitin 2020.

Segmenti më i vogël i tregut, ai i sigurimeve të jetës ndërkohë vazhdon të ketë nivele më të larta euroizimi se mesatarja e tregut. Megjithatë, euroizimi i tregut të sigurimit të jetës vitin e kaluar pësoi rënie në 34% të primeve të shkruara bruto, nga 37% që kishte qenë një vit më parë.

Megjithatë, euroizimi ngelet i lartë edhe në shumë produkte vullnetare të tregut, që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuaranë Euro, siç është Sigurimi i kombinuar i Aksidenteve personale dhe shëndetit, Sigurimi i Jetës në Udhëtim dhe Sigurimi i Jetës së Studentit.

Gjithashtu, produktet që shfaqin një vlerë të primeve të shkruara në përqindje të lartë në Euro janë: Sigurimi Kasko, Sigurimi i Aksidenteve dhe Shëndetit, Sigurimi i Pronës, Sigurimi Inxhinierik, si: Sigurimi i të Gjitha Risqeve në Ndërtim në aktivitetin e sigurimit Jo-Jetë dhe Sigurimi i Jetës me Kursim, Sigurimi “Cash Plan” dhe “Flexi Plan për Sigurimin e Jetës.

Ndërkohë, sipas AMF, produktet si Sigurimi i Mallit në Transport apo Sigurimet Inxhinierike paraqesin një nivel të lartë euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në euro në rastet e import-eksporteve dhe sigurimeve inxhinierike që përfshijnë vepra madhore të infrastrukturës, përfshirë ato me shoqëri ndërkombëtare.

Pesha e konsiderueshme e primeve të arkëtuara në euro reflektohet edhe në strukturën e depozitave bankare të shoqërive të sigurimit. Në fund të vitit 2021, shoqëritë e sigurimeve zotëronin rreth 12.8 miliardë lekë depozita, nga të cilat pothuajse 52% ishin të mbajtura në valutë të huaj.

Pesha e depozitave në valutë është rritur me tetë pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Depozitat në valutë të huaj përbëjnë 55% të totalit ën sigurimin e jo-jetës, në rritje me 3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe 33% të totalit në sigurimin e jetës, nga 15% që përbënin në fund të vitit 2020.

Në depozitat në valutë të huaj, peshën kryesore e zënë depozitat në euro, të cilat zënë rreth 90.8% të depozitave totale në valutë dhe 46.9% të depozitave totale të shoqërive të sigurimit, pjesa tjetër e depozitave janë të investuara në dollar amerikanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë