Gazeta Si – Katër gola, tre nga të cilët spektakolarë për nga mënyra e realizimit, polemika pa fund për gjykimin, penallti për shkodranët dhe një gol i anuluar me VAR në kohën shtesë për ta. Ndeshja Erzeni-Vllaznia, e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës, u mbyll në barazim, 2-2.
Kjo ndeshje i kishte të gjitha brenda, përveç fituesit. Për Erzenin është barazimi i dytë në dy javë kampionat, kurse për Vllazninë ndalesa e parë pas fitores së javës së parë ndaj Kukësit.

Kapiteni Bekim Balaj shënoi një gol të bukur me goditje dënimi në fillim. Shijakasit përmbysën gjithçka, duke u përgjigjur po me dy eurogola, njëri nga Mihana me goditje dënimi, dhe tjetri nga Zeka.
Në fund Balaj fitoi një 11-metërsh me ndihmën e VAR-it dhe e ktheu vetë në gol, duke barazuar shifrat. Shkodranët shënuan edhe një gol tjetër me Gomes, por pas konsultimit me VAR-in, arbitrja e Emanuela Rusta e anuloi atë për pozicion jashtë loje. Kontestime nga Vllaznia.
Ishte ndeshja e parë e javës së 2-të të Superiores, që sot vazhdon me Skënderbeu-Dinamo City.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




