Kosova

Eurodeputetët kritikojnë BE-në: Masat ndaj Kosovës të njëanshme, provokimet erdhën nga Vuçiç

Dy eurodeputetët, gjermanja Delara Burkhardt dhe austriaku, Andreas Schieder, kanë kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, pasi KE ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Nuk është e pranueshme të heshtësh për Serbinë, ndërkohë që vetëm Kosova bëhet përgjegjëse për de-përshkallëzimin. Në një proces serioz të dialogut duhet marrë masa të qarta ndaj Serbisë”, ka shkruar në një postim në Twitter, eurodeputeti austriak Schieder.

Më tej ai ka thënë se “masat ndëshkuese të njëanshme kundër Kosovës të planifikuara nga Komisioni i BE-së janë të gabuara”.

“Injorohet se provokimet kanë ardhur nga Vuçiç i Serbisë”, ka shkruar eurodeputeti austriak.

Kritike ndaj BE-së është edhe eurodeputetja gjermane, Burkhardt.

“Me sanksionet e djeshme kundër Kosovës, Komisioni i BE-së vazhdon zbutjen me Vuçiçin. Kjo është e njëanshme dhe rrezikshmërisht e gabuar”, ka shkruar ajo.

Komisioni Evropian të hënën ka prezantuar disa masa kundër Kosovës.

Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë