Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare ka dalë në tregjet e jashtme me Eurobondin 600 mln eurosh, me një afat 5-vjeçar.
Sipas Bursës së Londrës, kuponi i Eurobondit është 5.9% dhe yield-i mesatar 6.13%. Borxhi i ri maturohet më 9 Qershor të vitit 2028, pra pas 5 vitesh dhe interesi do të paguhet çdo vit më datën 9 Qershor. Këto janë interesat më të larta të Eurobondeve që Shqipëria ka emetuar përveç atij të vitit 2010, duke e bërë të dytin më të shtrenjtë. Afati i reduktuar i maturimit duket të lidhet përsëri me normat e larta të interesit.

Rreziqet
Në qarkoren e Eurobondit të Shqipërisë, publikuar nga Bursa e Londrës, listohen risqet e tregjeve në Shqipëri, për t’i ofruar investitorëve të interesuar një panoramë të qartë nëse vendosin të blenë borxhin shqiptar. Fillimisht përmendet inflacioni si faktor që nëse zgjat më shumë, mund të shkaktojë stanjacion ekonomik.
Demografia është një tjetër pikë ku Shqipëria vlerësohet si e rrezikuar, për shkak të emigracionit të lartë, kryesisht të profesionistëve si dhe të plakjes. Këto dy fenomene mund të dëmtojnë skemën e pensioneve dhe defiçitin e skemës, thuhet në raport.
Në raport përmendet si problem edhe varësia e vendit tonë nga kushtet atmosferike për prodhimin e energjisë, në një kohë që një përkeqësim i tyre mund të rëndojë prodhimin energjetik e për rrjedhojë edhe financat e vendit. E njëjta gjë vlen për risqet që burojnë nga fatkeqësitë natyrore, pasi evenimente të tilla padiskutim që mund të sjellin pasoja afat-gjata në financat publike.
Kur u komunikua vitin e shkuar ideja se qeveria do të lëshojë një tjetër Eurobond, u fol për vlerën 500 mln euro, por mesa duket kursi i zhvlerësuar i euros ndaj lekut ka bërë që vlera të rritet.
Në fund të vitit 2022 ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se pritet dalja e shtetit shqiptar në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond me një vlerë 500 milionë euro, “por vetëm nëse tregu është i favorshëm me normat e kthimit dhe afatin e maturitetit.”
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në fund të 2022-shit, i kërkoi Shqipërisë të mos dalë në tregjet ndërkombëtare në vitin 2023 me Eurobond, pasi yield-et janë të larta dhe tregjet globale kanë shtrënguar kushtet e tyre, në një kohe pasigurie.
Të njëjtin apel bëri edhe Banka Botërore në raportin e saj të vjeshtës 2022, ku i kërkonte vendeve të Ballkanit të mos lëshojnë Eurobonde dhe mbi të gjitha me afat të shkurtër.
Efekti i Eurobondit të fundit në ecurinë e borxhit publik pritet të jetë afatshkurtër, pasi, sipas Ministrisë së Financave, pjesa më e madhe do të përdoret për shlyerjen e borxheve që maturohen gjatë këtij viti. Në fund të tremujorit të parë, borxhi publik vlerësohej sa 63.3% e PBB-së.
Në fund të tremujorit të parë të 2023, stoku i Eurobondeve i emetuar nga qeveria shqiptare kishte vlerën e 1.8 miliardë eurove, ndërsa me emetimin e këtij muaji ky stok rritet në 2.4 miliardë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




