Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë viteve të shkuara, shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor rritën varësinë e tyre ndaj financimit të jashtëm. Raporti i vjeshtës i Bankës Botërore për vendet e këtij rajoni tregon se në 2021-shin, të gjithë vendet përveç Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës po shfrytëzonin kushtet e favorshme të financimit duke lëshuar Eurobonde.
Kjo ishte pjesë e strategjisë së shteteve për të menaxhuar borxhin, për të zgjatur maturimin e për të diversifikuar arkën e investitorëve.
Gjatë pandemisë, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, arkëtuan në total 5.1 mld euro në Eurobonde që u përdorën për rifinancime të borxhit dhe deficiteve. Në 2021-shin, Serbia dhe Shqipëria lëshuan Eurobonde me maturitet 15 dhe 10 vjeçar, respektivisht. Serbia nxori dhe një obligacion “të gjelbërt” me interesa vetëm 1%.
Megjithatë, kushtet e favorshme të financimit dhe vëllimet në rritje të huamarrjes kanë mbajtur lart nivelet e borxhit publik për shumicën e vendeve.
Shtetet e BP-së kanë nevoja shumë të larta rifinancimi në kohë të shtrëngimit monetar. Koha mesatare e maturimit, ATM, për rajonin është 6.3 vite, poshtë mesatares së OECD-së, 7.7 vite. Kësti i borxhit të jashtëm për to arrin 2% të PBB-së për vitet 2023-2024, por kjo ndryshon nga vendi në vend.
Serbia, me ATM 8.1 vite do të paguajë këste vjetore sa 1.9% e PBB-së për 2023-24, me risqe më të ulëta rifinancimi. Nga ana tjetër, Shqipëria është shumë më e rrezikuar me ATM-në e saj 4.7 vite, ndonëse kësti i saj është sa 0.6% e PBB-së. Kësti i Malit të Zi është më i larti në rajon, 4%.
Kushtet e ndryshuara shpesh po e bëjnë lëshimin e një Eurobondi shumë më të shtrenjtë. Si pasojë e një shtrëngimi agresiv nga Banka Federale, investitorët globalë po tërheqin paratë e tyre nga tregjet e tjera për t’i futur në asetet amerikane me interes të lartë. Kjo po i lë shtetet ballkanike vulnerabël. Yield-et e Eurobondeve janë rritur gjatë 2022-shit dhe disa prej tyre kapën 10%.
Në të gjitha vendet, përveç Shqipërisë, yield-et e Eurobondeve që maturohen në 3 vjet janë më të larta se ato që maturohen në 5 vjet, duke reflektuar se tregjet parashikojnë rreziqe më të larta për obligacionet maturohet më shpejt.
Kosto e financimit nga qeveria po rritet po ashtu në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Kosovë, e cila nuk lëshon një Eurobond, yield-i mesatar i një obligacioni 5-vjeçar u rrit në 3.3%. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në Shqipëri që kapi 5.4% për obligacionet 5-vjeçare. Në Maqedoninë e Veriut, 4.2% dhe në Serbi 6.8%.
Pavarësisht kostove të rritura, borxhit të ri dhe rifinancimit, struktura e borxhit do të ndikojë direkte në normën e shpenzimeve. Mesatarisht çereku i portofolit total të borxhit në BP përbëhet nga marrëveshje të shumta ku borxhet kanë interesa variabël.
Serbia dhe Kosova janë më pak vulnerabël ndaj rritjes së normës së interesit. Rritja e dollarit do të thotë kosto më e lartë e shërbimit të borxhit të dominuar në dollar, ku Shqipëria dhe Serbia janë më shumë të ekspozuar me 10.8% dhe 12.6%, respektivisht.
Hapësira e limituar fiskale, borxhi i rritur publik dhe rritja e kostos së financimit po pengojnë qeveritë t’i përgjigjen krizave momentale. Të gjitha qeveritë po marrin masa për të luftuar koston e rritur të jetesës dhe ndryshe nga ajo e Covid, kjo ndihmë nuk ishte e targetuar.
Të gjitha vendet me përjashtim të Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi kanë dhënë subvencione për ndërmarrjet shtetërore të energjisë dhe pritet të jenë nën presion për mbështetje të mëtejshme me afrimin e sezonit të dimrit. Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ulën tarifat e tyre të akcizës për karburantet, kjo e fundit me 50% për tre muaj për të luftuar ndikimin inflacionist në familje dhe biznese. Një masë e ngjashme është në shqyrtim në Bosnje dhe Hercegovinë, por është bllokuar në Parlament. Maqedonia e Veriut ndau një shtesë prej 0.6 për qind të PBB-së për masat kundër krizës në kuadër të rishikimit të buxhetit në maj 2022.
Më tej, detyrimet kontingjente që vijnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe PPP-të paraqesin rreziqe të konsiderueshme fiskale në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Pjesë e raportit të vjeshtës nga Banka Botërore, për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.