Para

Eurobond i ri 500-700 mln euro. Qeveria kërkon të përfitojë nga interesat e ulta

Në komisionin e Ekonomisë po diskutohet marrja e një euroboni me vlerë deri në 700 milionë euro.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj deklaroi se është në interes të vendit të merret një borxh më i madh këtë vit. Eurobondi me një afat maturimi 7 deri në 10 vite do të shërbejë për plotësimin e nevojave të buxhetit.

“Emetimi i një eurobondi ka një rëndësi të veçantë sidomos për vendet me një ekonomi të vogël. Eurobondi jo vetëm na ndihmon për plotësimin normal të nevojave të buxhetit të shtetit, por përfaqëson një mundësi për të përmirësuar perspektivat e investitorëve, duke prezantuar më tej perspektivat optimiste afatmesme. Në daljet e mëparshme kemi pasur norma interesi në rënie. Eurobondi do të jetë nga 500-700 milionë euro dhe një afat maturimi nga 7 deri në 10 vite në bazë të tregjeve të huave. Jemi në përfundim të plotësimit të dokumenteve. Financimi do të përdoret për mbështetje buxhetore dhe do të përdoret arsimi, shëndetësia, bujqësia apo infrastruktura dhe mbështetje e investimeve publike. Një pjesë i investimit do të mbetet në thesar për vitin 2022”.

Ibrahimaj tha se duke qenë se bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi, është më mirë të merret një borxh më i madh kë vit.

“Është në interesin tonë që të marrim një borxh më të madh këtë vit nëse ka norma të ulta interesi dhe të mos dalim vitin e ardhshëm pasi bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi. Po ashtu edhe kriza energjetike po jep efektet e saj. Prandaj është në interesin tonë të marrim eurobond në vlerë më të madhe këtë vit dhe të mos dalim vitin e kaluar. Po punojmë për të përmbushur parametrat për të dalë nga lista gri për pastrimin e parave”, tha Ibrahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë