Shtatë gola për dy fitore në Gr. A që startoi evropianin e 17 vjeçarëve në Shqipëri. Kuqezinjtë e Tedesco-s ishin pak për Portugalinë që vuri menjëherë kandidaturën për kualifikimin në gjysëmfinale. Katër gola në dy pjesë treguan limitet e kuqezinjve të vegjël që në nivel moshash luajtën ndeshjen e 3 në një Kampionat Evropian. Quintas (36’), Mide (11m në 68’), Cabral (81’) dhe Soares (90’+2) ishin autorët e golave që mposhtën Hulin në “Arenën Kombëtare”. As ndërhyrjet e Tedesco-s nuk sollën ndryshimin e pritshëm dhe tashmë kuqezinjtë do të provojnë të marrin pikën e parë ndaj Gjermanisë në 22 Maj në “Elbasan Arena”.

Mbrëmja ishte një Klasike që vuri përballë kampionët e Botës në fuqi ndaj transalpinëve që dhanë leksion futbolli në “Elbasan Arena”. Golin më të shpejtë të këtij Evropiani e shënoi Azizi për “le Bleus” pas vetëm 60” ndaj panzer’ave nën vrojtimin e Michael Ballack në tribunën Vip në Elbasan. 11’ më vonë ishte N’Guessan që dyfishoi duke tronditur kampionët e Botës në fuqi të cilët mbetën në inferioritet në 31’ kur Kaba u ndëshkua me kartonin e kuq. 12 nga fundi i tërë ndeshjes, Batola shënoi golin e 3’të dhe Franca do luajë për vendin e parë në grup në 22 Maj ndaj Portugalisë.

Grupi B do të zbresë sot në fushë për të plotësuar raundin e parë të ndeshjeve në grupe. Në orën 18:00, Anglia dhe Belgjika do të luajnë të parën ndeshje ndërkombëtare në “Arena Egnatia”. Ishullorët që e fituan eventin në vitet 2010 dhe 2014 shihen si pretendentë për kalimin në ½ finale por belgët do ta “shesin” shtrenjtë lëkurën në Rrogozhinë. Në 20:30, Italia dhe Çekia do të përballen në “Niko Dovana” në Durrës. Tre tituj mes tyre, por të fundit e fituan të kaltrit që janë edhe kampionë në fuqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.