Para

Euro rritet lehtë në fund të dhjetorit

Nga Gazeta ‘SI’ – Një ditë para përfundimit të vitit 2025, euro ka shënuar një forcim të lehtë ndaj lekut, duke sinjalizuar një stabilizim të përkohshëm pas muajsh presioni në rënie.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro u këmbye me 96.6 lekë, niveli më i lartë i regjistruar gjatë muajit dhjetor. Megjithatë, pavarësisht këtij rikuperimi modest, euro mbetet pranë minimumit të saj historik në raport me monedhën vendase.

Në të njëjtën linjë, forcim të lehtë kanë shënuar edhe monedhat e tjera kryesore. Dollari amerikan u këmbye me rreth 82 lekë, ndërsa paundi britanik me 111 lekë, duke reflektuar lëvizje të moderuara në tregun valutor vendas.

Forcimi i lehtë i euros dhe monedhave të tjera duket të jetë një efekt sezonal dhe jo strukturor, ndërsa presim të shohim se si do të pozicionohet tregu valutor në muajt e parë të vitit 2026.

Gjatë gjithë vitit 2025, euro ka shfaqur një lloj “imuniteti” artificial, i ndërtuar mbi ndërhyrjet e shpeshta të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti banka qendrore ka tërhequr nga tregu rreth 800 milionë euro, me qëllim frenimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane.

Megjithatë, kjo strategji nuk është parë me sy pozitiv nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka theksuar vazhdimisht nevojën për një regjim të lirë këmbimi, pa ndërhyrje të vazhdueshme administrative, duke argumentuar se tregu duhet të reflektojë vetë balancat reale ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë