Biznes

Euro, inflacioni dhe tregu i punës, problemet kryesore të bizneseve të huaja në Shqipëri

Nga Gazeta 'SI' - Zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe mungesa e fuqisë punëtore, janë dy problemet kryesore të bizneseve në Shqipëri për 2024-n, sipas një ankete.

Kryer nga shoqatat e investitorëve të huaj në Shqipëri, anketa vlerëson me 3 pikë më shumë se një vit më parë, klimën e biznesit në Shqipëri, por mbetet poshtë shkallës favorite.

Situata në lidhje me tregun e punës në Shqipëri është sërish ndër dimensionet më të dobëta të vlerësuara nga investitorët e huaj, konkretisht kur bëhet fjalë për rritjen e pagave në vend, që ka marrë 65 pikë në shkallën e intensitetit, një rritje prej 21 pikësh krahasuar me 44 pikë në vitin 2023.

63% e bizneseve të anketuara besojnë se qeveria nuk është transparente në një nivel të mjaftueshëm ndaj biznesit të tyre, me 49 pikë.

Gjyqësori shqiptar, nga ana tjetër, ka marrë 55 pikë, me një rritje prej 12 pikësh, krahasuar me 43 pikë në vitin 2023.

Ndryshimet e shpeshta tatimore dhe qartësia e këtyre ndryshimeve, mbeten pengesë për bizneset, që i vlerësojnë me 55 dhe 51 pikë.

Gjithashtu, kur shihet aksesimi i fuqisë punëtore të kualifikuar / të trajnuar dhe ndikimi i saj në biznes, ajo ka marrë 74 pikë, 5 pikë më shumë krahasuar me 69 pikët e vitit 2023.

Situata në lidhje me strategjitë dhe stimujt probiznesit ndihet në rastin më të mirë “e vakët”, me investitorët e huaj që vlerësojnë ndikimin e reformave dhe politikave ekonomike shqiptare ndaj biznesit të huaj me 48 pikë (rritje e lehtë me 1 pikë krahasuar me vitin 2023), po ashtu vlerësimi i politikave dhe stimujve për nxitjen e investimeve është 45 pikë (ulje e lehtë me 2 pikë, krahasuar me vitin 2023).

Duke parë faktorët e brendshëm, përfaqësuesit e biznesit besojnë se ka një rritje të nivelit të burokracisë me të cilën përballen.

Rendi dhe siguria janë dimensionet me performancë më të mirë në këtë kategori, ku 33% përgjigjen që përballen me probleme në këtë drejtim, megjithatë, intensiteti i këtyre problemeve është vlerësuar me 61 pikë nga 100 në të njëjtën shkallë. Seksioni i furnizimit me energji në sondazhin e vitit 2024 sheh një përmirësim të përgjithshëm në krahasim me vitin 2023, me të gjitha  dimensionet që nuk e kalojnë vijën e mesme  të  intensitetit në  shkallën e vlerësimit.

Investitorët e huaj nuk presin ndryshime të mëdha në ekonominë shqiptare në vitin e ardhshëm, duke marrë 55 pikë në një shkallë ku 0 = dobësohet ndjeshëm dhe 100 = përmirësohet ndjeshëm.

Kjo pasohet nga një optimizëm i vogël për rritjen e xhiros së biznesit, e cila pritet të rritet në masën 60 pikë në një shkallë ku 0 = ulet ndjeshëm dhe 100 = rritet ndjeshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë