Banka e Shqipërisë një javë më parë do të blinte në treg sipas kalendarit të saj të përcaktuar 4 mln euro për të shmangur çrregullimet e tregut të brendshëm valutor. Teorikisht pritej që vlera e monedhës së përbashkët europiane të rritej.
Por nuk mendonin kështu agjentët e këmbimit valutor, të cilët do të thoshin për Gazetën “Si” se nuk prisnin ndryshime të konsiderueshme në treg, pasi “kjo është një praktikë e njohur e zakonshme e Bankës së Shqipërisë dhe 4 mln euro nuk janë një shumë e madhe për të “tronditur” tregun”.
Po ashtu disa syresh prej agjentëve të këmbimit valutor do të artikulonin se luhatjet në këtë treg dhe zhvlerësimi i euros vjen si rezultat i parave informale, jashtë sistemit në treg.
Në fakt, prognoza e agjentëve të këmbimit valutor u vërtetua.
Euro ditën e premte më datë 18 tetor kur Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg, u rrit vetëm me 0,06 pikë përqindjeje nga dita precedente, por një ditë më vonë dhe dy ditët e tjera në vazhdim pësoi rënie respektivisht me 0,27 pikë përqindjeje, 0,28 dhe 0,17 pikë përqindjeje.
Mondha euro nisi kurbën rritëse ditën e enjte dhe e mbylli javën me rritje në kuotën e 123,31, më ulët se në të njëjtën kohë të një viti më parë ku një euro këmbehej me 124,64 lekë, apo të 2017-ës kur një euro këmbehej me 133, 44 lekë.
Megjithatë disa ekspertë të këmbimit valutor e shpjegojnë këtë rritje edhe pse modeste me rritjen e kërkesës për valutë nga kompanitë që kanë shpërndarë dividentin dhe fitimet e tyre dëshirojnë ti transferojnë tek kompanitë nëna.
Sepse këtë vit, bizneseve iu është bërë një lehtësi fiskale, ata janë tatuar për shpërndarjen e dividentit 8%, kundrej 15% që ishte më parë dhe lehtësia fiskale përfshinte fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kushtin që: tatimi që u përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019.
Dhe pas përfundimit të afatit për tatimin mbi dividendin për fitimet e pashpërndara, kompanitë po vijojnë të transferojnë fitimet e tyre tek kompanitë mëma jashtë.
Megjithatë, thonë eskpertët, pavarësisht të këmbimit në sasi të mëdha lekë-euro, ndryshimi në treg është tejet modest dhe euro vazhdon të jetë e luhatshme.
Kompanitë shpërndanë rreth 1.1 miliardë euro dividend dhe më shumë se gjysma ishin kompani të huaja.
Sipas të dhënave nga Tatimet, të ardhurat nga dividendi në janar-shtator të këtij viti ishin rreth 11 miliardë lekë ose 90 milionë euro, trefish në raport me vitin e mëparshëm. E përkthyer në fitim të shpërndarë rezultojnë 137 miliardë lekë ose gati 1.1 miliardë euro.
Eksperti në fushën e ekonomisë Zef Preçi shprehet për Gazetën “Si” se "Tashmë është bërë e qartë se nga mbiçmimi i Lekut kemi një grup të vogël përfituesish (qeveria - nga ulja relative e kostos së borxhit publik, poseduesit e shumave të mëdha monetare që pavarësisht origjinës së tyre i qarkullojnë me fajde në tregun paralel të kredisë bankare, bankat për shkak të rritjes së depozitave bankare në Euro, etj), si dhe një grup të madh humbësish (ekonomia kombëtare - nga ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe frenimi i investimeve të huaja për këtë shkak, kompanitë eksportuese që punojnë me fason, etj)."
Ndërkaq, thotë ai, nëse analizojmë ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit, mund të konkludojmë se ky institucion nuk ja ka arritur qëllimit që të ruajë padyshim një kërcënim real për ekonominë dhe demokracinë në vendin tonë.
Për rrjedhojë, sqaron eksperti, deformimet që janë shfaqur në tregun e pasurive të patundshme kur çmimet rriten edhe pse shitjet janë në nivele simbolike, pritet të shtrihen edhe në tregje të gjera, ndërsa bankat tregtare duket se janë nën një presion të madh dhe joshje për t’u përfshirë në procesin e pastrimit të parave.
Po kështu, sipas tij, edhe vetë qeveria gjendet në një pozicion të njëjtë dhe në kushtet kur performanca e saj fiskale lë për të dëshiruar, një numër projektesh të llojit partneritet publik-privat të saj, janë gjeresisht të dyshuara si licensim për pastrim parash si dhe për shndërrimin e parave kriminale në borxh publik për periudhat që vijnë.
Pavarëisht se Banka e Shqipërisë do të blinte më shumë se 460 milionë euro për të frenuar rënien e monedhës së përbashkët, kjo e fundit shënoi ende nënçmimin më të madh vjetor që nga 2004-a. Për gjithë vitin 2018 kursi mesatar i këmbimit të euros ndaj lekut ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më pare.
Tendenca rënëse ka vijuar dhe në 2019-n, por me ritme më të ulëta. Euro ka humbur rreth 3 lekë në krahasim me fillimin e këtij viti dhe aktualisht këmbehet në rreth 122 lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.