Treg

Euro e dobësuar po tërheq lakun në fytin e eksportuesve

Nga Megi Iskurti-Tatëpjeta e euros, që ka filluar, po merr me vete edhe eksportuesit vendas.

Ata të dorëzuar përpara ecurisë së kursit të këmbimit, ndihen me lakun në fyt prej kostove të prodhimit në rritje dhe rënies së ndjeshme të fitimeve.

Eksportuesit thonë për Gazetasi.al se janë “zemra” e ekonomisë shqiptare dhe forcimi i monedhës vendase që mund të jetë një lajm pozitiv për shumëkënd, nuk është aspak i tillë për ata që i sjellin ekonomisë rreth 1.8 miliardë euro në vit. Prishja e ekuilibrit relativisht të qëndrueshëm euro/lek i gjeti krejt të papërgatitur.

Edvin Prençe, Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport, shprehet me shqetësim për Gazetasi.al se vetëm në këtë hark kohor prej kur euro nisi rënien graduale, sektori i manifakturës së veshjeve dhe këpucëve ka një humbje deri në 10%.

Edvin Prençe, Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport

Ndonëse sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, eksportet për qershorin u rritën me 32.2% me bazë vjetore, eksportuesit shprehen se ngadalësimi i rritjes së tyre ka nisur që në fund të këtij muaji, për t’i shtrirë efektet në korrik kur dhe euro ra në nivel historik.

Prençe pohon vështirësitë e mëdha me të cilat kompanitë fason po hasen duke nisur që nga përballimi i kostove të larta të prodhimit e deri tek shpërndarja e pagave për punonjësit.

“Euro ka dëmtuar rëndë sektorin dhe trendi i saj duket se do të vijojë në rënie. Të gjithë vështirësitë me të cilat po përballemi e bëjnë sektorin tonë të mos jetë kompetitiv në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit të cilat janë edhe konkurrueset tona”, shprehet ai për Gazetasi.al.

Fasoneri në Shqipëri

Problemi më i madh sipas tij është se po i shkojnë shumë shpejt dhe afër falimentimit.

“Nëse situata vazhdon në këtë mënyrë dhe ne presim që do të ketë një rënie akoma më të fortë të euros kundrejt lekut, patjetër që mund të ketë rrezik falimentimesh pasi ne jemi eksportues dhe si të tillë varemi gjithë kohën nga kursi i këmbimit.

Ka një rënie të prodhimit të brendshëm dhe një ulje të faturimeve dhe të ardhurave që biznesi ka. Kjo ulje e tyre patjetër që çon në mungesë likuditeti për të bërë investimet e nevojshme dhe për të patur mundësi për të shtuar fonde të reja pune”, shton ai mandej.

I pyetur nga Gazetasi.al në lidhje me masat që kanë marrë kompanitë fason për t’u mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros, ai u shpreh se masat që ata kanë në dorë janë të pakta.

Kompanitë fason punojnë duke lidhur “Kontrata me Porosi”, ku caktojnë paraprakisht çmimin për porosinë e tyre. Pas përcaktimit të çmimit është i vështirë rinegocimi me porositësit. Në rast se kompanitë rrisin çmimet, ata përballen menjëherë me rrezikun e humbjes së klientëve dhe uljen e volumeve tregtare.

Në një situatë të tillë ata nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveçse të amortizojnë humbjet te fitimet e tyre.

“Masat që ne personalisht si biznese mund të marrim nuk janë shumë pasi po flasim për biznese që tashmë kanë kontrata të firmosura prej kohësh me ndërkombëtarët dhe është e vështirë që të kërkosh herë pas here rritje ose rishikim të çmimit.

Konkurrentët tanë në vende si Maqedonia apo Serbia janë të mbrojtur dhe të mbështetur nga shtetet e tyre. Rreziku që firmat e huaja të cilët bashkëpunojnë me ne të largohen drejt këtyre vendeve është tepër i lartë”, mbyll ai për Gazetasi.al.

Për qershorin sipas të dhënave të INSTAT, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë Greqia me 76.5 % dhe Spanja me 54.3%.

Uljen më të madhe e kanë pasur me Kosovën dhe Maqedoninë, përkatësisht me 1.6% dhe 1.2%.

Për eksportuesit në një situatë të tillë është shumë e rëndësishme që ky fenomen mos t’i lihet rastësisë dhe kapriçove të tregut monetar por të ndiqet me kujdes dhe të ndërhyhet kur është e mundur, në mënyrë që pasojat e tij të mos agravohen për ta.

Kursi, faktorët që ndikuan

Elementi sezonal dhe ardhja e turistëve të huaj e kanë dobësuar euron në nivelet më të ulëta historike.

Euro u shkëmbye me 117 lekë duke u barazuar me dollarin.

Shumë analistë europianë thanë se ishte vetëm çështje kohe përpara se euro të arrinte një kurs këmbimi një me një me dollarin, ndërsa ekonomitë europiane vijojnë luftën me rritjen e çmimeve.

Aktualisht, euro sot(18 korrik) po tregtohet me 116.94 lekë.

Faktorët që ndikojnë në këtë “tkurrje” sipas agjentëve të këmbimit valutor lidhen jo vetëm me prurjet e turistëve por edhe me ngadalësimin e ekonomisë europiane dhe frikën në rritje për recesion. 

Presionet inflacioniste kanë “mbërthyer” ekonomitë e shumë vendeve të cilat po vuajnë pasojat e një lufte pa afat.  Qarkullimi i më shumë eurove në tregun vendas por edhe rritja e remitancave që kanë sjellë emigrantët po bëjnë gjithashtu të vetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë