Para

Euro bie në nivelin më të ulët që nga viti 2007

Euro ka vijuar në rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën (28 dhjetor) euro u këmbye me 120.36 lekë, duke shënuar një rekord të ri për 14 vitet e fundit.

Kursi i euros nuk binte në nivele të tilla që prej fundit të dhjetorit të vitit 2007.

Muaji dhjetor është periudhë që përgjithësisht sjell rritje të flukseve hyrëse të valutës, të lidhura sidomos me kthimin e emigrantëve, por edhe një rritje të turizmit hyrës për festat e fundvitit.

Por pandemia vazhdon të ketë një ndikim frenues në lëvizjen e lirë të shtetasve mes vendeve të ndryshme. Kjo mund të ketë sjellë më shumë hyrje të turistëve dhe emigrantëve në Shqipëri për festa.

Një faktor tjetër me ndikim të konsiderueshëm mund të jetë edhe Eurobondi prej 650 milionë eurosh që qeveria shqiptare siguroi në muajin nëntor. Një pjesë e këtyre parave po përdoren për të mbuluar deficitin buxhetor dhe për të financuar shpenzimet publike në pjesën e fundit të vitit.

As rritja e çmimeve të mallrave të importit duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për të ushtruar presione drejt mbiçmimit të kursit të euros.

Tregu nuk është ndikuar shumë as nga kërkesa e Bankës së Shqipërisë për blerje të euros, për nevoja të administrimit të rezervës valutore. Të martën banka qendrore publikoi edhe ndërhyrjet në tregun e parasë për tremujorin e tretë.

Sipas informacionit zyrtar, blerjet e valutës deri në fund të tremujorit arritën në 91 milionë euro.

Deri në fund të tremujorit të tretë, tendencat e deficitit të llogarisë korrente të vendit ishin pozitive. Sipas Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente për tremujorin e tretë pësoi rënie me 52% krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti dhe me 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë