Para

Euro bie në 101.4 lekë, Dollari dhe Paundi në rritje

Nga Gazeta ‘SI’ – Kursi i euros kundrejt lekut ka shënuar tjetër ulje, duke qëndruar në kufijtë e 101 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot (6 dhjetor) një euro këmbehet me 101.43 lekë, pas një rritje të lehtë të hënën e 4 dhjetorit.

Në kontrast, valutat e tjera janë forcuar ndaj lekut. Diferenca duket e pazakontë, pasi kursi i euros në Shqipëri, si monedha që përdoret masivisht dhe në sektorin bankar, vendos tendencën e valutave të tjera. Lidhur kjo dhe me kursin e tyre në tregjet e jashtme.

Një dollar këmbehet me 94 lekë dhe një paund me 118.39 lekë.

Të premten e 1 dhjetorit, euro arriti në 101.17 lekë, niveli më i ulët që nga korriku, kur shkoi 100 lekë. Në një skenar të ngjashëm me atëherë, të hënën euro u forcua lehtë, për të rënë përsëri.

Për ekspertët e tregut, nuk ka asnjë shpjegim ekonomik për këtë zhvlerësim, përveç të ardhurave informale në euro, që dominojnë tregun e parasë në Shqipëri.

Një faktor që ndikon është edhe rënia e ofertës së lekut. Sipas shifrave, leku në qarkullim gjatë muajve të fundit ka pasur tendencë negative duke e bërë të pamundur dominimin e tregut dhe duke e lënë atë “në dorë” të euros.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë