Para

Euro ‘barazohet’ me lekun. Dollari e paundi rekorde të reja rënieje

Nga Gazeta ‘SI’ – Leku është ‘forcuar’ përsëri kundrejt monedhave të huaja duke arritur tashmë dhe në një barazim me euron. Këtë të enjte, 1 euro këmbehet me 100 lekë, duke arritur në pikën më të ulët ndonjëherë dhe atë që njihet si paritet midis valutave. Në raport vjetor, euro është zhvlerësuar me 14% kundrejt lekut.

Të njëjtën tendencë kanë ndjekur dhe valutat e tjera, duke qenë se janë të lidhura ngushtë me euron.

Dollari këmbehet me 89.6 lekë dhe paundi 115 lekë.

Të gjitha monedhat ndërkombëtare po dobësohen çdo ditë me nga 1 pikë ndaj asaj shqiptare dhe tendencat janë të tilla edhe për të ardhmen. Vetë autoritetet financiare në vend parashikojnë një rënie tjetër të euros, me rritjet e volumit të turizmit dhe eksporteve.

Sipas Bankës së Shqipërisë euro nuk do të kthehet më në të njëjtin kurs që ishte dikur dhe ky është normaliteti i ri.

Eksportuesit janë humbësit më të mëdhenj të këtij fenomeni me shifra që shkojnë deri në miliona euro. Por njësoj humbin edhe qytetarët apo bizneset që kanë depozita në monedhën europiane, ose të ardhurat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë