Zhvlerësimi i monedhës europiane, Euro, nuk është frenuar as nga ankandet e Bankës së Shqipërisë për blerjen e saj.
Të hënën, 21 qershor,Banka e Shqipërisë (BSH)organizoi ankandin e gjashtë për blerje valute të parashikuar në kalendarin e këtij viti. Në total, në ankand u blenë 11.5 milionë euro.
Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 4 dhe 6 milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë bleu shumën maksimale të programuar, 6 milionë euro.
Banka ushtroi edhe opsionin e blerjes në një raund të dytë, për 5.5 milionë Euro të tjera ku blerjet në raundin e dytë u bënë me një kurs prej 122.74 Lekësh.
Ankandi tjetër është zhvilluar me datë 7 qershor kur BSH pati blerë edhe 6.4 milionë euro të tjera.
Pavarësisht kërkesës së shtuar nga Banka e Shqipërisë, me gati 18 milionë euro të blera në dy javë, nënçmimi i euros në tregun e brendshëm valutor po vijon.
Euro këtë javë vazhdoi me rënie dhe u këmbye me 122.62 lekë, duke shënuar një rekord të ri për periudhën pas pandemisë pasi ky është niveli më i ulët i kursit të tij i shënuar që nga fundi i muajit shkurt 2020.
Leku ka nisur një cikël të lehtë mbiçmimi ndaj euros që nga muaji mars dhe po ecën me ritme të shpejta.
Ekspertët e shpjegojnë këtë forcim të lekut kryesisht me faktorin sezonal.
Zbutja e kufizimeve të lidhura me pandeminë këtë vit ka rritur pritshmëritë për një sezon turistik më të mirë se ai i vitit të kaluar. Kjo pritet të japë ndikimet e veta edhe në kursin e këmbimit valutor, ku operatorët e tregut presin një nënçmim të mëtejshëm të euros.

Gazeta “SI” në një komunikim me një agjencitë e këmbimit valutor me emër në kryeqytet mësoi para ditësh se kjo luhatje dhe zhvlerësimi i euros është ndikuar nga situata e mirë hidrologjike në vend gjatë fillim vitit 2021.
“Në një situatë të mirë hidrologjike ne prodhojmë energji mjaftueshëm e më tepër dhe nuk ka nevojë të importojmë nga vendet e tjera. Blerja e energjisë luhet në shuma të paimagjinueshme. Kështu, kur një shumë e tillë në euro nuk hidhet më në treg apo tërhiqet, do ta zhvlerësojë atë. Kjo gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri”,- u shpreh agjenti i kursit të këmbimit.
Ai theksoi për gazetën SI se fundi i pranverës apo fillimi i verës janë sezone që kanë një sjellje konsumatore tipike, që shmangen nga euro.
“Për shumë arsye, unë apo ti nuk do të shkojmë të blejmë një televizor, një frigorifer apo çfarë do mjeti elektroshtëpiak që shitet e blihet me euro, pikërisht në këto momente edhe nëse na duhet”,- tregoi kambisti.
Ai shtoi se që euro të rritet në raport me lekun duhet të rritet konsumi dhe konsumi rritet me rritjen e pagave të qytetarëve në marrëdhënie pune.
Edhe në vendet europiane, euro ka patur po ashtu një periudhë të dobët, por ekonomistët thonë se “euro po kërkon vëmendje, sepse në të vërtetë gjendja financiare nuk është aq e dobët sa autoritetet e nxjerrin, e madje pesimizmi i Bankës Qendrore po e dëmton atë”.
Ekspertët në Europë dhe SHBA i druhen se luhatjet e euros dhe dollarit do t’i zhdukin të dyja monedhat nga tregu fizik dhe do të kompensohen nga monedhat, po, monedhat digjitale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



