Kombetarja

Euro 2024/ Dalin në shitje dy muaj para biletat e ndeshjes me Poloninë

Gazeta Si – Fiks pas dy muajsh Shqipëria do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikueset e Euro 2024. Kuqezinjtë do të presin Poloninë në ‘Air Albania’, ndërkohë FSHF ka bërë me dije se që sot mund të blihen online biletat për këtë sfidë.

Sigurisht, në krahasim me ndeshjen e fundit me Moldavinë, ku Kombëtarja jonë fitoi 2-0, ka një rritje të çmimeve. Bileta më e lirë ndaj Polonisë kushton 2000 lekë, kurse më e shtrenjta 6000 lekë.

Interesimi pritet të jetë mjaft i madh për ndeshjen e 10 shtatorit në kryeqytet. Në këto eliminatore, me ardhjen e trajnerit Silvinjo, ka dukshëm një interesim të madh të tifozëve, të cilët e mbushën thuajse plot stadiumin ‘Air Albania’ ndaj Moldavisë në muajin qershor.

Cmimet e biletave per ndeshjen me Polonine. Gazeta Si, 10 korrik 2023

Kombëtarja jonë mban vendin e dytë në grup, me 6 pikë, pas fitoreve me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Në ndeshjen e parë eliminatore skuadra jonë u mund pikërisht nga Polonia, me rezultatin 1-0. Sido që të shkojë sfida me Çekinë në transfertë, që luhet po në shtator, ndaj polakëve do të jetë vendimtare për kualifikimin. Kuqezinjtë duhet medoemos ta mundin këtë rival direkt për në Euro 2024.

Deri në shtator situata mund të ndryshojë, varet gjithçka nga gjendja e futbollistëve, por nëse Shqipëria luan si në dy ndeshjet e fundit dhe ruan këtë entuziazëm, mund të bëjë diçka të mirë. Vështirësia e dy ndeshjeve të shtatorit është më e madhe se e atyre të qershorit, megjithatë skuadra e Silvinjos jep besim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë