Misioni i EULEX-it në Kosovë është duke shqyrtuar rritjen e pranisë më të madhe të patrullave në zonën e urës së Bistricës në veri, në koordinim më të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Ata konsiderojnë se situata në veri të Kosovës mbetet e brishtë dhe sipas tyre i gjithë tensioni është rritur pas largimit të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës.
“Situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë, pasi vakuumi i sigurisë dhe sundimit të ligjit të krijuar pas dorëheqjes së policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës po vazhdon. Në dritën e incidentit të fundit, ne jemi duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së frekuencës së patrullave tona të zbulimit rreth zonës afër urës së Bistricës, në koordinim më të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thonë nga EULEX-i.
Ata kanë treguar se njësia e përbërë prej 105 oficerëve polake dhe njësia policore e formuar rezervë (NFPU), e cila përbëhet nga 24 xhandarë italianë dhe 5 lituanë, po kryejnë patrulla të lëvizshme të zbulimit 24/7.
“Përveç kësaj, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë po patrullojnë në këmbë në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”, thonë më tej nga EULEX-i.
Situata u tensionua në veri të Kosovës pas plagosjes së një qytetari serb. Për këtë rast, nga Policia e Kosovës janë pezulluar 4 policë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




